Ndreu ndan lajmin e mirë dhe përcjell 4 mesazhe të koduara…

Kryetarit të Bashkisë Lezhë ia njohim stilin e të shprehurit tashmë. Ai nuk është tip elozhativ.

Pra, nuk shpërndan lëvdata anë e mbarë pa kursim vetëm sa për t’u bërë qejfin të tjerëve, e aq më pak, t’i shprehë ato me tre paragrafë tekst në faqen e tij zyrtare. Në rendin normal të gjërave, ai shkruan dy rreshta dhe ia del më së miri. Por…

….mbrëmjen e djeshme Z. Ndreu bashkë me lajmin e mirë për shërimin e dy zv/kryetarëve pas prekjes së tyre me Covid19, ai ka përcjellur me nëntekst edhe disa mesazhe të koduara, të cilat, ia vlen t’i kalojmë në një sitë pak më të imët:

E para, Ndreu po thotë se gjatë periudhës së karantimit të tyre, ai vetë, aty në krye të punëve të Bashkisë e ka ndjerë mungesën e tyre, pra e thënë më shqeto, Ndreu po thotë se pa Ermalin dhe Olianën e ka të vështirë të jetë Kryetar Bashkie.

E dyta, pas asaj që tashmë dihej për Z. Pacaj, i cili në PS-në e Lezhës pati marrë edhe nofkën “I Dyti i Përhershëm” pas këtij statusi të Ndreut, ai qartazi bëhet “I Dyti i Domosdoshëm”, duke e fortifikuar pozicionin dhe kontributin e tij në PS.

E treta, duke vlerësuar kontekstin e aktualitetit, ku nga njëra anë jo vetëm PD-ja po bën seleksionime dhe vlerësime të figurave brenda partisë, por PS-ja gjithashtu, dhe nga ana tjetër duke e ditur që Ndreu është nga ata politikanë të cilin intuita nuk e ka zhgënjyer asnjëherë, po thotë se kush janë “Los Preferidos” për të. (Nëse dikush do t’i kërkonte emra!).

E kartërta, Ndreu nuk ia përton të hidhet në sulm ndaj kritizerëve të tyre, duke i quajtuar madje edhe “gjak helmuar”, duke përcjellë kështu mesazhin që përveçse i çmon ata të dy, është i gatshëm edhe t’i mbrojë në luftën politike.

Ne ju ftojmë ta lexoni statusin e Ndreut dhe ta dëshifroni vetë atë:

Oliana dhe Ermali, dy Zv. Kryetaret e Bashkise Lezhe, kane kaluar me sukses Covid-19. Duke ju uruar shendet te plote, i komplimentoj per korrektesen e treguar duke u izoluar dhe kryer nje karantine serioze.

Sakrifica qe ata bene eshte pjese e seriozitetit qe ne kemi si staf, duke vleresuar situaten per mos infektimin e familjeve dhe kolegeve. Megjithese cdo dite kemi qene ne kontakt per konsulta pune, dhe ata vete nuk kane reshtur se punuari nga shpia duke ndihmuar ne zgjidhjen e problematikave.

Por pati dhe ndonje qe me helmin ne gjak, beri statuse pa pike turpi. Por ne ja dalim gjithmone, ashtu si Oliana dhe Ermali, dhe kushdo tjeter qe do infektohet nga Covid. Urime e mbaresi per te dy. Mezi presim te rikthehen ne pune per te ecur me shpejt ne punet e perditeshme!