Ndihmo dikë për Pashkë! Një thirrje për besimtarët në Lezhë…

Shkallët i ngjiti i vetmuar, nën shiun që binte lehtë mbi sheshin e zbraztë të Shën Pjetrit, nën qiellin e zymtë mbi kryeqytet, me ecjen e ngadaltë, që e bënte të dukej si një pëllumb i bardhë i plagosur, lutja e Papa Françeskut, përpara se të jepte një bekim të veçantë urbi et orbi (qytetit dhe botës), formësuan imazhet që do të hyjnë në histori.

Papa Françesku duke ngjitur shkallën e sheshit Shën Pjetri i vetmuar

Do të jetë një Pashkë me dyer të mbyllura. Besimtarët nuk mund të bëjnë “Udhën e Kryqit”, as nuk mblidhen dot për të Dielën e Larit, as me 11 Prill në Meshën e të Shtunës së Madhe e as me 12 Prill, të Dielën e Pashkës, ditën e celebrimit të Ringjalljes së Jezus Krishtit.

Kështu pra, për herë të parë në historinë mbi 2 mijëvjeçare të Kishës Katolike, në festën që simbolizon pikërisht hapjen e derës, pranimin, dhembshurinë, dhënien, faljen, e ringjalljen, të krishterëve në mbarë rruzullin do t’u duhet të mbyllin dyert e të qëndrojnë në shtëpi. Të gjitha celebrimet do të bëhen pa praninë e besimtarëve.

Në frymën e kësaj vigjiljeje, dhe në simbolikën e madhe katolike, kësaj here, këtë Pashkë, me shumë mundësi askush nuk do të na trokasë në derë, që t’i japim, ashtu siç është tradita, një vezë, një ëmbëlsirë, një gatim të veçantë atyre buzëqeshjeve të fëmijëve që na gëzojnë pragun e shtëpisë.

Por kjo nuk do të thotë se duhet të dorëzohemi…

Si besimtarë, si njerëz që e promovojnë më të mirën tek njeriu, ne i bashkohemi thirrjes që dhuratën tonë të Pashkës ta japim për bamirësi, që të shkojë në derën e atyre që janë në vështirësi, që janë të pamundur, që nuk lëvizin dot nga shtëpia, e që bien të flenë të pangopur.

Nga Caritas Lezhë, është konfirmuar se ata janë të hapur për të pranuar çdolloj pakoje me ndihma, për familjet e pamundura, dhe ne duam që çdo familje, pavarësisht besimit, duam që të kalojnë një Pashkë, në mos të gëzueshme, të paktën të qetë e të mirë, si gjithë të tjerët.

Për çdo informacion në lidhje me dërgimin e pakove tuaja, që do të mblidhen e do të shpërndahen nga Caritas Lezhë, jeni të lutur, të përdorni këtë numër kontakti: +355 67 602 7651

Përpara se t’ju përcjellim urimet tona me zemër, për ditët e shenjta që po vijnë, të gjithë besimtarëve, dhe të gjithë atyre që në këtë Pashkë, ashtu si çdo vit, do t’ja hapin derën kësaj trokitjeje, ju ftojmë të ndiqni edhe njëherë pamjet që do të hyjnë në histori, dhe përlotën çdo të krishterë.

Bekime e mirësi në familjet tuaja, gjithherë!