“Mos u baftë!”, ajo çka kallxon kjo urë…

Midis bestytnive të zakonshme që njihen prej gjithë njerëzve, e që fat-thënëset ua përsërisin veçanërisht grave, janë: thyerja e pasqyrës që është ters, ndalimi i beftë për shkak të ngecjes së rrobave në një rreng lajmëron një problem madhor në punë a familje, prerja e rrugës prej maces së zezë lajmëron fat të keq, kur të bie glasa e zogut në kokë janë para, kur shkel në jashtëqitjen e qenit me këmbën e majtë është lumturi.

Midis tyre pra, midis bestytnive që rreken të para-thonë fatin e njeriut, kanë ekzistuar edhe ca bestytni të tjera, më të epërme, sipërane, nga ato shenjat ose kumtet që para-thonë jo fatet e një individi, por ato të një kombi të tërë.

Nëse rastësisht do të takoje një UFO në rrugë, dhe do të drejtonte pyetjen, “Cilat janë urat më të famshme në Shqipëri?”. Shanset janë që në mendjen tënde do të vinin me urgjencë të paktën dy prej tyre.

E para, “Ura me 5 Harqe” ose “Ura e Matit”, dhe e dyta “Ura me 3 Harqe”. Kjo e fundit jo urë prej vërteti, por roman i një shkrimtari të madh shqiptar.

Është pikërisht kjo e dyta, me tri harqe pra, që zbërthen kodin e vjetër të shenjave dhe bestytnive që para-thonë fatet e kombeve.

Në rreshtat e atij libri gëshetohen historia, gojëdhëna dhe psikoza e një kombi të tërë ku pikërisht simboli qëndror është Ura. Me mjeshtërinë e tij të fjalës dhe me fuqinë e miteve e legjendave antike shqiptare, autori na çon pikërisht aty ku buron e vërteta.

Nuk është ashtu siç do ta prisni, ura aty nuk është objekti simbol që lidh dy brigje të ndara, që afron krahinat, që bashkon qytetërimet e popujt, tek Ura me tri harqe ndodh e kundërta, metafora e Urës ka ngjyrime të përbindëshit e lugatit që përpin njerëz, që i pret në besë, që i rrëzon, ndërsa kalojnë në të. Ajo, ura, shndërrohet në instrument të hatashëm dhe kërcënues për popullin shqiptar. Kjo metaforë e autorit shtrihet qartë në roman. Ura përherë ka kërkuar shqiptarë të gjallë për flijim.

Kjo tragjedi e vazhdueshme do të jetë një magji e keqe e krijuar përmes legjendave dhe miteve. Ura si metaforë e bashkimit tjetërsohet, sepse Perandoria Osmane ngrit ura jo si ofertë e bashkëpunimit dhe krijimit të lidhjeve të shëndosha ndër-qytetëruese, por si përfituese territoresh, përkatësisht përfituese e frymës së tjetrit për ta shndërruar e shkrirë në vete tjetrin. Autori i ka dhënë kuptim të ri simbolikës së urës apo metafora e urës ka marrë ngjyrime të reja.

Për t’u kthyer te bestytnitë, ura pra, ose me saktë, rënia e urave është jo vetëm thjeshtë prishja e një vepre inxhinierike, por shkon edhe më thellë, dhe autori na fton ta lexojmë si kumt, si diçka që para-thotë të ardhmen. Ura është Urata pra, dhe humbja e urës është humbja e uratës.

A mos ndoshta shembja apo ikja e njerës prej këmbëve të Urës së Matit, po na lajmëron se ndër shqiptarë do të vijnë kohë komplotesh, trazimesh, besprerje, kohë të zymta për atdheun, kohë dokrrash, një komb në kllapi dhe pa shpresa…

“Mos u baftë!”, ajo çka kallxon kjo urë.