MeteoAlb dhe aplikacionet e motit zbardhin Lezhën këtë fundjavë

Lezha e qytete të tjera do t’i gëzohen borës këtë fundjavë, teksa priten temperatura tepër të ulëta.

Pothuajse të gjitha aplikacionet në smarfonët tanë njoftojnë se Lezha do të zbardhet prej borës këtë fundjavë.

Akil Osmani nga MeteoAlb tha në një lidhje në News24 se në ditët në vijim do të ketë një rënie të ndjeshme të temperaturave duke bërë që në zonat malore vlerat minimale të zbresin edhe në minus 15 gradë Celsius, ndërsa në Ultësirën Perëndimore vlerat minimale pritet të zbresin edhe në minus 5 apo minus 6 gradë celsius.

“Ndërsa maksimumet pritet të luhaten nga vlerat 7-8 gjatë ditës së shtunë, ndërsa të dielën një rënie më e ndjeshme e tyre duke zbritur në vlerat 4 gradë celsius në vlerat maksimale. Po, gjatë kësaj fundjave pritet që reshjet e dëborës të përfshijnë vendin tonë. Që në orët e para të ditës së shtunë pritet që mbi 400 metër nga niveli i detit të kemi reshje dëbore, ndërsa e shtuna pasdite duke qenë se vijon rënia e ndjeshme e vlerave termike pritet që të zgjerohet hapësira e reshjeve të dëborës duke bërë që të përfshihen dhe zonat e ulëta, duke përfshirë dhe kryeqytetin, Tiranën, reshje që do të jenë prezent deri paraditen e ditës së diel”, tha ai.

Sipas parashikimit, temperaturat e ulëta pritet të zgjasin dhe përtej të hënës dhe të martës, duke bërë që të kemi 6 deri në 7 ditë me temperatura ekstremisht të ulëta dhe në zonat e thella malore ta tejkalojnë -16, -17 gradë celsius.

Pra, si përfundim duhet të na thoni nëse do të zgjedhni borën apo dëborën?

Për ata që vendosin të zgjedhin dëborën, të mos harrojnë se borëbardhën duhet ta bëjnë dëborëbardha dhe luleborën do duhet ta bëjnë luledëborë, gjë e cila do t’i ngacmonte nervin çdo shkodraneje…