Mesazhi i Kryeministrit në Lezhë: “Vizioni i gabuar të çon për lesh dhie!”

Kryeministri i vendit, Edi Rama u prit këtë pasdite nga të rinjtë e Forumit Rinor Eurosocialist të Lezhës.

Meqënëse kjo ftesë për të pasur praninë e kryeministrit u bë në vigjiljen e anëtarësimeve të reja Z. Rama nuk mund të mos i shmangej mesazhit të kësaj dite.

Ai u tha të rinjve të FRESSH-it të Lezhës se ata që thonë “na mbyti politika”, “nuk merremi me politikë”, ky është muhabet kot, – u shpreh Rama.

Kur ti del nga shtëpia dhe shkel në rrugën e pashtruar, atëherë nuk mund të ndërtosh vetë atë rrugë, por duhet të bashkohesh në komunitet, të bëhesh aktiv, sepse politika është instrumenti i saktë për t’u bashkuar me të tjerë për të ndryshuar ato gjëra të cilat nuk do të mundje i vetëm, u tha Rama të rinjve.

Rama bëri edhe një paralele kohore për t’i bërë të rinjtë të kuptonin rëndësinë e përfshirjen në politikë, duke u thënë atyre se, “… në Lezhë, pikërisht në vendin ku jam unë tani, kulloste dashi, dhe atje (duke drejtuar gishtin nga sheshi Skëdërbeg përballë Bashkisë) atje ishte bërë parking makinash. 

Është çështje vizioni pra, e shikoni, ata i quajnë delet dhe makinat zhvillim, delja nga pylli vjen e kullot te vendvarrimi i Heroit Kombëtar dhe Sheshi kryesore i qytetit kthehet në parking, e kshu hapësira më e rëndësishme e qytetit u dedikohet makinave dhe deleve, dhe këtyre u pëlqente, sepse e quajnë zhvillim këtë.

Këta i quajnë zhvillim edhe ndërtimet pa leje, sepse politika është çështje vizionesh, këtë vizion kanë këta. Lideri i tyre legjendar e konsideronte mrekullinë e 8-të të botës, atë që kishte ndodhur me ndërtimet pa leje në Shqipëri, e kishte fjalën për Bathoren.

E shikoni pra, politika është çështë vizionesh, dhe vizioni i gabuar të çon për lesh dhie.

Të merresh me politikë nuk do të thotë të bëhesh politikan, por do të thotë të bëhesh një qytetar i përgjegjshëm që të intereson edhe ajo çfarë ndodh përtej pragut tënd, u shpreh Rama.