Më në fund ia gjetën “njeriun punës” e jo “një punë njeriut”! Drejtuesi i Postës Lezhë një shembull pozitiv

Posta e Lezhës i rikthehet shërbimit me respekt dhe dinjitet për qytetarët. Përveç morisë së shërbimeve që ofron Posta Shqiptare sh.a, e cila sa vjen e konturohet si një operator financiar në treg, muajt e fundit, edhe ambjentet e brendshme të personelit, e akoma më e rëndësishme ato të klientëve, kanë pësuar një sistemim rrënjësor.

Nëse të qëllonte të ankoheshe pak muaj mëparë për kushtet mizerabël të sallës së pritjeve, për suvanë e shembur, për mbretërinë e mykut që kishte pushtuar gjitha muret rrethuese, për ndriçimin qorrues apo për karriget e shkallmuara të sallës së pritjes, me shumë gjasa do të të thonin “kemi bërë kërkesë por nuk na i ka sjellë Tirana!”.

Pra ashtu siç zogjtë e shqiponjës që zgjasin sqepin me shpresën që t’u bjerë ndonjë thërrime nga bollëku i Tiranës, i njëjtë ishte edhe raporti i Filialit të Postës Lezhë me Drejtorinë e Përgjithshme.

Me drejtuesit e institucioneve të Lezhës është ende në modë ajo shprehja “t’i gjejmë një vend pune këtij njeriut”, por të paktën kësaj here kemi bindjen e brëndshme se “vendit të punës i kanë gjetur njeriun”, atë të saktin.

Fakti që drejtuesi i ri i këtij institucioni Z. Pjerin Çuku, një i diplomuar në perëndim, fakti pra, që ky drejtues i ri ka bërë përpjekje të shumëfishta për ta ndryshuar këtë raport të Filialit me Drejtorinë e Përgjithshme është një tregues i patjetërsueshëm i angazhimit të tij serioz për t’i shërbyer qytetarit.

Posta e Lezhës ofron sot mbi 80 shërbime të ndryshme, ndër to edhe transferta parash, pagesa të detyrimeve tatimore për bizneset e vogla, pensionet e pleqërisë, pagesat e gjobave e policisë, pagesat e faturave OSHEE-së, Ujësjellësit etj.

Fatkeqësisht, shumë qytetarë, duke mos patur informacion, u drejtohem bankave apo agjensive të tjera për të njëjtat shërbime por me komisione më të kripura.

Nuk na mbetet tjetër veçse t’i urojmë suksese në vijimësinë e punës së tij z. Çuku, dhe qoftë ai një shembull për drejtuesit e tjerë rreth e qark.