Mbyllet sondazhi në Lezha News: Diferencë e ngushtë në Raundin e Parë!

Me anë të përdorimt të funksionit “sondazh” i disponueshëm në Facebook, faqja Lezha News publikoi mbrëmë një sondazh ku i ftonte ndjekësit të jepnin votën e tyre për njërin nga kandidatët nëse zgjedhjet do të mbaheshin të nesërmen.

Me mijëra e mijëra përdorues, ndjekës të faqes, apo miq të ndjekësve të faqes nuk kanë ngurruar të shprehin haptazi drejtimin e votës së tyre.

Mbi një mijë e treqind komente me thirrje mbështetjeje nga dy krahët u postuan në hapësirën poshtë sondazhit nga ndjekësit.

Duke parë ecurinë supersonike me të cilën po rritej numri i votuesve dhe se rezultati nuk po merrte një drejtim të qartë në njërën anë por e ruante drejtpeshimin si në teh të shpatës, nga ky moment filloi të vërehej edhe një rritje e konsiderueshme e numrit të shpërndarjeve, si nga ana e profileve personale, ashtu edhe nga administratorë të ndryshëm të faqeve në Facebook, nga të dyja kampet.

E thënë shkurt: të dyja palët filluan të përdornin të gjitha mjetet e vëna në dispozicion nga Facebook për të optimizuar rezultatin, dhe në këtë pikë, çetat digjitale, kuptohet, bënë edhe abuzime, nga të dy krahët, duke e shpërndarë sondazhin nëpër faqe që s’kishin lidhje specifike me Lezhën, apo aq më pak votues të Lezhës.

Për fat të mirë, për shkak të algoritmit të Facebook dhe për shkak të një ligji të matematikës që quhet “Ligji i numrave të mëdhenj” këto abuzime patën efekt të papërfillshëm për shkak se numri i votuesve me profile reale ishte tepër i lartë, dhe si i tillë, u ruajt vullneti.

Dy leximet e sondazhit:

Një vështrim i shpejtë i këtij sondazhi, edhe pse virtual dhe lehtësisht i ndikueshëm, na shtyn të mendojmë se miti i +4000 votave kur kryebashkiaku Frrokaj arriti në fitoren e tij kundër Viktor Tushaj, ky mit pra, siç na shtyn rezultati i sondazhi të mendojmë, u rrëzua!

Po ashtu, edhe miti i +1620 votave të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, aq i trumpetuar nga PS, u rrëzua gjithashtu.

Nga ajo që vërehet, të dy kandidatët kanë një diferencë të ngushtë midis tyre, dhe mesa shihet kësaj here nuk do të ketë një fitues të bindshëm me diferencë të madhe votash, të paktën ky është preludi i sondazhit.

***Rikthesojmë faktin se ky është vetëm një sondazh në Facebook, nuk është një sondazh me standarte dhe i certifikuar nga ndonjë agjensi apo kompani, dhe si i tillë, marzhi pasaktësisë është i lartë!

Leximi i komenteve:

Nuk është i nevojshëm ndonjë thellim i detajuar për të kuptuar nga komentet klimën e polarizimit të tejskajshëm të mbështetësve nga të dyja ekstremet.

Është normale që të ketë kundërshti dhe polarizim të klimës në prag zgjedhjesh por nuk është aspak normal ky ekstremizim, egërsim, dhe agresivitet që shpresojmë të mbetet vetëm virtual.

Është e turpshme, e papranueshme dhe pafalshme që me një person me të cilin për 300 ditë të vitit kemi patur marrëdhënie vëllazërore, të armiqësoheni për shkak të 65 ditëve fushatë.

Ne përkrahim fuqimisht mendimin se vlerat e shoqërisë midis nesh, vëllazëria dhe mirkuptimi i ndërsjellë qëndrojnë më lart sesa dasitë politike të fushatave elektorale.

Shënim***: Muajin e ardhshëm, pra me 28 Maj do të mbahet një raund i dytë i këtij sondazhi.