“Marrim mishin dhe e presim tuf tuf tuf…”/ Kuzhinieri i famshëm nga Rrësheni 100K në TikTok

Ato kanë një përbërës sekret. Me zërin e qetë dhe ftues, me lëvizjen harmonike të duarve, Gledis i përcjell gatimet e tij në Instagram krejt ndryshe nga ç’ua përgatit klientëve në Spezia të Italisë, dhe gjetja e tij është aq unike, sa dhe origjinale.

Video recetat e Gledis në Instagram dhe TikTok janë bërë hit, dhe kjo i detyrohet faktit se ky djalosh inteligjent nga Rrësheni, ka gjetur një kombinim fantastik.

Ai ka arritur të bashkojë gastronominë me komedinë. Gatimin me Argëtimin.

Mjaftueshëm i mprehtë për të kuptuar se në TikTok apo Instagram shikuesit janë aty për të kaluar kohë argëtuese, e jo për të ndjekur rëndom, receta gatimesh pafund e pafillim.

Gledis ofron pikërisht përbërësin që ndjekësit duan: humorin.

Por edhe humori në pjatat e tij është i veçantë, ai përdor nofka të caktuara për përbërësit, të cilat, ndjekësit e kuptojnë shumë mirë se ku është fjala në të vërtetë.

Hudhra, në gatimet e Gledis, quhet orbit shqiptar. Vaj Sindi quhet vaji i ullirit extra i virgjër. Malli i ligjshëm quhet mielli, e lista vijon…

Ditën e sotme pra, djaloshi nga Mirdita, pikërisht ai që del para kameras dhe thotë “Marrim mishin e pulës dhe e presim tuf tuf tuf…” ka falenderuar të gjithë ndjekësit në TikTok të cilët kanë arritur në 100K tashmë.

Rasti i Gledis Gegaj është shembulli tipik i asaj se si forca e kreativitetit njerëzor dhe pak sens humori janë gjithçka, jo vetëm për të spikatur pa nevojën e ndonjë agjensie marketingu, por edhe për t’ia dalë mbanë pothuajse me çdogjë në jetë.

Ne i urojmë suksese në punë, në Instagram e TikTok, kuzhinierit tonë të mençur dhe argëtues.