“Ma paçi faqen e zezë”, nuk përmbahet historiani lezhjan, ndërhyn edhe Bes Kallaku

Paulin Z. Zefi është një historian i njohur në të gjithë Shqipërinë për kontributin dhe punën e tij në veçanti në lidhje me monumetet dhe arkeologjinë. Aktualisht Përgjegjës i këtij Sektori në Bashkinë e Lezhës.

Në faqen e tij në Facebook ai gëzon një mbështetje të gjërë dhe dashamirës të shumtë që shprehin mirënjohje për punën dhe atdhedashurinë e tij.

Jo më shumë se një ditë mëparë historiani Zefi ka publikuar një monument nga qyteti i Shkodrës, konkretisht atë të ngritur për Hasan Riza Pashës.

Me shumë elegancë dhe pa e prekur atë “nervin e ndjeshëm e të dhimbshëm” të përkatësisë fetare, ai ka vënë në dukje një prishje të drejtpeshimit sa u takon monumenteve.

Pas publikimit të këtij statusi, kanë vërshuar lumë komentet dhe opioninet, ku ndër ta, ia vlen të veçohet ai i Bes Kallakut, i cili ky i fundit, nuk ka ngurruar të përfshihet në këtë temë.

Lexojeni të plotë reagimin e historianit lezhjan:

“Antonio Da Lézze & Hasan Riza Pasha”.

Përderisa Shkodra ndjehet komode me monumentin e irakenit Hasan Riza Pasha, të vendosur në qendër të qytetit tim të zemrës, atëherë jam i mendimit që sa më shpejt t’i ndërtohet një monument madhështor dhe shumë dinjitoz edhe venecianit(italianit) “ANTONIO DA LÉZZE”, i cili, në krye të një garnizoni të përbërë prej vetëm 1.600 luftëtarësh (kryesisht arbër), e mbrojti Shkodrën heroikisht përballë armatës perandorake osmane, e cila kishte një efektiv të përgjithshëm prej 350.000 vetash dhe që komandohej nga vetë “Kasapi i Arbërisë”, sulltan Mehmeti II Fatih. Lufta për mbrojtjen e Shkodrës gjatë viteve 1478-1479, nuk gjen paralele në histori dhe nuk ka të krahasuar as me mbrojtjen e Stalingradit (1942-1943) dhe jo më me mbrojtjen e Shkodrës kundër barbarëve serbo-malazezë në vitet 1912-1913.

● Për Monumentin qesharak dhe thellësisht denigrues për figurën emblematike të AT GJERGJ FISHTËS, që ndodhet ngjitur me obeliskun kushtuar Hasan Riza Pashës, më mirë nuk po flas, por thjeshtë: “Ma paçi faqen e zezë”.