Lina Guri flet Abc News. Pse në Tale të Lezhës është vendi perfekt për pushimet familjare…

Në një studim për detin dhe bregdetin e Adriatikut, inxhinier Xhevahir Ngjeqari, studiuesi i pashoq i resurseve natyrore të vendit tonë, e quan gjirin e Shëngjinit dhe vijimin e tij drejt plazhit të Tales “Amazona e vogël e Adriatikut”.

“Nuk ka asnjë hapësirë litorale në detin Adriatik,- thotë Ngjeqari, -ku natyra, brenda një hapësirë të kufizuar, ka dyndur gjithë relievet detare, bregdetare, tokësore, ranore, kodrinore, shkëmbore, lagunore, ligatinore, gjelbërimin e florës dhe lulëzimin e faunë si në Gjirin e Shëngjinit”.

Fjalët e inxhinier Ngjeqarit janë vërtetë të ëmbla për veshët dhe sytë tanë, por problemi i tyre më i madh është se nuk vazhdojnë të jenë të vërteta.

Të paktën jo më për Shëngjinin. Dikur “Amazona e vogël e Adriatikut” është kthyer tashmë, për shkak të oreksit pervers të predatorëve të kapitalizmit, në një “Xhungël të madhe urbane”.

Në këtë kuptim, Shëngjinin, ashtu siç shumë bregdete të tjera në Shqipëri, e çuan dëm!

Ndërsa Talja, ashtu si ajo bija e fundit e mbijetuar prej holokaustit ambjental, qëndron krenare, pasi tashmë “ata” e kuptuan gabimin: oreksi kapitalist duhet të frenohet në kufijtë e respektit për natyrën, faunën, florën, biodiversitetin, logjikën urbane dhe estetikën.

Inxhinier Ngjeqari i ka thurur lavde edhe rërës së bregdetit të Tales. Është vërtetë një rërë speciale, – thotë ai, – prodhim i pastër i një deti në punë të pandalshme, ku prurjet inerte që nisen nga malet nuk kanë kohë të treten rrugës për arsye se lumenjtë që i sjellin nuk kanë gjatësi të madhe.

Fragment nga libri i Ing. Xhevair Ngjeqarit për rërën e Tales

“Me 7 km vijë bregdetare, 25 deri në 30 metra gjërësi të brezit të rërës, me aftësi akomoduese për familjet gjithnjë e në rritje, qetësi, pastërti, çmimet modeste dhe jo, më të kripura se uji i detit, të operatorëve turistikë aty, projektet gjermane të zhvillimit në zbatim e sipër në këtë zonë, e bëjnë bregdetin e Tales vendin perfekt për pushimet familjare verore, sot dhe në të ardhmen, e kjo na gëzon shumë.” – shprehet Znj. Lina Guri, Administratore e Njësisë Shënkoll.