Lezhës iu shua një dritë mbrëmë, e cila nuk do të ndizet më…

“Ashtu si dita e kaluar mirë të jep gjumë të ëmbël, ashtu edhe një jetë e shpenzuar si duhet të jep vdekje të qetë”, shkruan Leonardo Da Vinçi diku në shënimet e tij.

Shuarja e Luciano Levrit u lajmërua dje nga kreu i Caritas Lezhë P. Antonio Leuci, i cili shkruan:

Ciao Luciano, dua të të kujtoj kështu, gjithmonë i vëmendshëm ndaj më të pamundurve … ne do të angazhohemi që ta vazhdojmë punën tënde të palodhur ndaj Romëve. Zoti të dhëntë shpërblimin e përjetshëm, ti punëtori i mirë në vreshtin e tij. Lamtumirë, lutu për ne.

Antonio.

Menjëherë pas këtyre rreshtave të Padre Antonios ka patur një reagim si rrallëherë në Lezhë me mesazhe ngushëlluese dhe mirënjohjeje të thellë prej banorëve, të atyre që e njohën, kolegëve, lezhjanëve, komuniteteve, shoqatave, dhe autoriteteve lokale.

“Bashkia Lezhë shpreh dhimbjen për humbjen e mikut tonë Luciano Levri!

Përkushtimi juaj ishte një shembull i cili tejkalonte caqet e çdo pushteti. Prej më shumë se dy dekadash ofrove mbështetje të pakushtëzuar për komunitetin Lezhjan e mbi të gjitha atë Rom e Egjiptian.

Pushofsh në paqe miku ynë!

Ia arrite misionit tënd… atë që fëmijët me të cilët punove të fillojnë të ëndërrojnë… e familjet e tyre të ëndërrojnë me ta!

Bashkia Lezhë është mirënjohëse pafund për punën e vyer që keni bërë dhe angazhohemi që ky mision të vazhdojë më tej.”, shkruhet në faqen zyrtare të Bashkisë Lezhë.

“Edhe në jetën e vërtetë, Luçianon do e ndjekin bekimet e mirënjohja e banorëve të Lezhës. Njeri i rrallë me zemër të madhe, edukator i fëmijëve e mbështetje e familjeve në nevojë. Pushosh në paqe🙏”, shkruan ndër të parët pas lajmit, Znj. Alfrida Marku.

Por ndoshta më të ngarkuarat me simbolikë dhe që përcjellin një kuptim universal kanë qënë fjalët e Kryetarit të Këshillit Z. Ernest Rakaj, ja çfarë shkruan ai:

Lezhës iu shua një dritë mbrëmë, e cila nuk do të ndizet më. Luciano e pati jetën ashtu siç kishte rrënjën e emrit, Luce – Dritë.

“Ai e bëri jetën e tij, mesazhin e tij, për të gjithë ne.

Luciano Levri na bëri të ditur me shembullin e tij se, jo ai që ka shumë është i pasur, por ai që jep shumë. E për të dhënë shumë, nuk është e nevojshme të presësh derisa të kesh shumë.

Sot është edhe dita e parë e shkollës, e dua gjithashtu të shtoj, se përpjekjet e njeriut për edukim dhe për diturinë janë përpjekjet më fisnikëruese të jetës së çdokujt.

Këtë bëri edhe Luciano, pa njohur lodhje, fisnikërues shpirtrash njerëzorë, tamam si një Promete modern, e shkriu veten në dhënien e Dritës, aty ku ajo vështirë përhapej.

Lamtumirë Luciano!