Lezhë/ Shembet shkolla e Shënkollit, gati projekti për godinën e re…

Pas futjes në listën e objekteve për shembje nga eskpertët e dëmëve të tërmetit të 26 nëntorit, dhe pas miratimit në Këshillin e Bashkisë Lezhë të projekt-vendimit të Bashkisë për Shkollën e Mesme “Llesh Nik Daka” në Shënkoll, është kryer sot shembja e kësaj godine, për t’i hapur rrugën ndërtimit të shkollës së re.

Shembja e një godine, aq të madhe, është në vetvete diçka e pazakontë, por shembja e një godine që mëparë ka qënë shkollë brenda mureve të të cilës me breza të tërë kanë mbresa aty, kanë marrë vitet e edukimit, dhe është vendi ku historitë me shoqërinë përgjatë viteve të shkollimit kanë ndodhur, sigurisht që, rrëzimi i saj e këput disi këtë rrjetëzim nostalgjik.

Por fundja, duhet gjetur ngushëllim te fakti se aty tashmë, në të njëjtin truall, do të ndërtohet një shkollë e re, me standarte të reja, dhe me auditorë që e bëjnë të rehatshme dhe brenda kushteve normale ndjekjen e procesit mësimor.