Lezhë/ Numërimi drejt fundit, kutitë e surprizave s’janë hapur akoma…

Po shkon drejt fundit numërimi i kutive me votat për Kryetarët e Bashkive, nga 126 kuti gjithsej deri në këto momente janë numëruar 90 kuti.

Lezhjanët u janë drejtuar qetësisht kutive të votimit ditën e djeshme, një qetësi e cila më tepër sesa nga kultura dhe respekti i ndërsjellë midis palëve i ka ngjarë një qetësie mortore në funeralin e demokracisë.

Dje nuk pati zgjedhje, pati votime, dhe mbi arkivolin e institucionit të zgjedhjeve i hodhën grushtat me dhe’ të dy krahët e politikës, njëra me kokëfortësi dhe tjetra me shurdhëri e verbëri krijuan kështu parakushtet e nevojshme që të dilte ky produkt, që duam apo s’duam ne, është e pamundur që të mos ringjallen në mendje kohët e mosndjesëpastit.

Lezha pati pjesëmarrjen më të ulët në votime në shkallë republike me 8.9%, por kjo nuk përbën asnjë shkak juridik që fituesi të mos ketë të drejtën e ushtrimit të mandatit.

Rezultati konkret nuk ka nevojë për interpretime extra, Pjerin Ndreu ka marrë 91% të votave, Eduart Ndocaj 6%, dhe i tërhequri nga gara Salvator Kaçaj 3%.

Ajo çfarë zgjon interes në këto momente dhe ku priten surprizat, është numërimi i votave për Këshillat Bashkiakë, numërim i cili, në Lezhë, ndryshe nga KZAZ-të e tjera të vendit, është lënë që të kryhet i gjithi në fund. Kjo më tepër sesa për të rritur efiçiensën apo për arsye proceduriale, dyshimet janë – duke u bazuar nga përvojat e mëparshme – dyshimet janë të forta pra, që të jetë lënë qëllimisht në fund numërimi i tyre, pikërisht për t’i marrë “thërrimet” partive të vogla për t’i çuar sipas pazareve, duke e nënvlerësuar kështu faktin se një ankesë e një partie të vogël mund ta penalizojë gjithë procesin në Lezhë.