Lezhë/ Ministri ‘u tërheq veshin’ ndotësve të ambjentit: “Fjalët mbaruan, tani aksion!”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi inspektim në zonën e Lagunës së Kune Vainit dhe Tales, në kuadër të masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ai shoqërohej në inspektim nga Sekretari i Përgjithshëm i MB-së Plarent Ndreca, Prefekti i Lezhës Gjok Jaku, Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici, Drejtori i DVP Lezhë Henerigert Mitri dhe struktura vendore.

Ministri Lleshaj, i cili, për hir të së vërtetës për shkak të postit kyç që mban në qeveri nuk ka një grup që kanë ‘mendime të hirta’ për punën e tij, por i ka të ndarë si me thikë, në ata që e vlerësojnë shumë për punën e tij dhe në ata që e kundërshtojnë shumë çdogjë që ai bën.

Lleshaj paralajmëroi nga Lezha, nisjen në ditët në vijim të një operacioni në shkallë kombëtare për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas tij, fjalët marrin fund që sot dhe ndëshkimi ndaj shkelësve apo dëmtuesve të mjedisit do të shtrihet në dy plane, IKMT do të marrë masa administrative, ndërkohë paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit.

Prononcimi i ministrit Lleshaj gjatë inspektimit:

Me kalimin e përgjegjësive për inspektimin e mjedisit tek Ministria e Brendshme, është hapur një fushë e re veprimtarie dhe një përgjegjësi e re për strukturat e saj.

Në ditët në vijim strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të IKMT-së do të ndërmarrin operacione të gjera në shkallë vendi në mbrojtje të mjedisit.

Në radhë të parë, vëmendja do të përqëndrohet tek të gjithë vijat ujore, tek lumenjtë e vendit, të cilët duhet të çlirohen nga derdhja e ujërave të zeza dhe derdhja e inerteve, të cilat janë shndërruar në një plagë të rëndë me pasoja të mëdha për mjedisin.

Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim ndërmjet Policisë dhe IKMT-së do të zhvillohen inspektime dhe opreacione të forta për të ndaluar çdo dëmtim, i cili ka ndodhur dhe vijon për fat të keq të ndodh në ndotjen e lumenjve.

Po ashtu me vëmendje të madhe do të ndiqet edhe çështja e guroreve, e minierave, si edhe e pyjeve me qëllim që veprimtaria kriminale dëmtuese ndaj tyre të marrë një goditje të rëndë.

Për çdo rast kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme, derdhje mbeturinash, derdhje inertesh, derdhje ujrash të zeza, në lumenj do të veprohen në dy plane. Së pari, IKMT-ja do të marrë masat administrative përkatëse, pra gjobat përkatëse. Ndërkohë që paralelisht Policia e Shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit që parashikohen nga Kodi Penal i RSH.

Pra, në të dy krahët ne do të luftojmë fort me të dy instrumentat që kemi në dorë, qoftë instrumentin administrativ, qoftë instrumentin penal, për të frenuar, për të bllokuar këtë dëmtim që i është bërë dhe vijon t’i bëhet mjedisit tonë dhe kryesisht ujrave të vendit tonë.

Përmes kësaj, ne do të sigurojmë kushte që lumenjtë të sjellin ujë të pastër në det, që turistët të kenë mundësi, të shijojnë pastërtinë e ujrave, pastërtinë e rërës dhe një mjedis, i cili vërtet lejon turizëm të mirëfilltë.