Lezhë/ Diskutime të gjata në Këshill për miratimin e Paketës Fiskale 2020

Këshilli i Bashkisë Lezhë në mbledhjen e tij të fundit ka patur në axhendë diskutimin dhe miratimin e Paketës Fiskale 2020.

Paketa Fiskale është gurthemeli i financave të Bashkisë pasi përcakton kornizën brenda të cilës ndodhin të gjitha zhvillimet fiskale përgjatë gjithë vitit 2020.

Bashkia Lezhë ka kryer gjatë muajve të fundit një tour intensiv takimesh me bizneset në të gjitha njësitë administrative të Lezhës për të dëgjuar propozimet e tyre në lidhje me hartimin e Paketës Fiskale të vitit 2020. Kryebashkiaku Ndreu ka qënë gjithashtu i pranishëm në të gjitha këto takime të thirrura nga ana e Bashkisë.

Ditën e sotme, diskutimi për paketën fiskale nuk kaloi në heshtje dhe në jeshilllëk kartonash, në fakt, mbledhja e sotme ka qënë e mbushur me diskutime, ndër to, veçanërisht idetë e këshilltarit Agostin Marku janë mirëpritur nga Kryebashkiaku Ndreu.

E kemi thënë edhe në raste të mëparshme se “Thembra e Akilit” e financave të Bashkisë Lezhë është mbledhja e të ardhurave, dhe siç kuptohet nga propozimet e Bashkisë, Z. Ndreu ka vendosur të ndërhyjë pikërisht këtu, duke bërë një ulje deri në masën 30% të taksave dhe 10-20% të tarifave të shërbimeve duke ZGJERUAR bazën tatimore duke i dhënë shtysë biznesit që të jetë korrekt me shlyerjen e detyrimeve Bashkiake.

Nga ana tjetër Z. Agostin Marku ka propozuar që kjo ulje e taksave dhe tarifave të mos bëhet për të gjitha bizneset pa dallim por të bëhet me diferencime duke favorizuar bizneset e vogla dhe familjarët apo duke stimuluar bizneset e reja që krijojnë mundësi punësimi të favorizohen me mospagimin e taksave.

Propozimet e Z. Marku u vlerësuan nga Kryebashkiaku Ndreu edhe pse ato dilnin jashtë objektivit “taktik” të Bashkisë, që është zgjerimi i Bazës Tatimore.