Lezhë/ Demokratët e Kurbinit propozojnë kandidatët, ja emrat që po spikasin!

Duam apo s’duam, e thotë ligji apo nuk e thotë ligji, gradualisht po hyjmë në fushatë elektorale. Në rastin më të afërt përflitet për zgjedhje në tetorin e këtij viti dhe në rastin më të largët në fundprillin e 2021-it.

Kuptohet qartësisht se strukturat e të dyja kampeve politike kanë filluar të “gëlojnë” nga prania e zyrtarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre. Madje, jo më larg se dje, kryeministri i vendi thirri në takim të gjithë deputetët e PS dhe kryebashkiakët për t’u komunikuar se nuk do bëjnë pushime verore, por do të takohen me njerëzit gjatë gjithë kësaj kohe.

Është e qartë tashmë, beteja për territor elektoral ka filluar, dhe strategjia fituese është afërsia me njerëzit, me zgjedhësit.

Në këtë kontekst, Partia Demokratike vijon e pandërprerë në korsinë e saj, të rrugës drejt dëgjimit të zgjedhësve, mbështetësve, dhe anëtarëve të bazës fillimisht.

Ndërkohë që PD Lezhë është në përmbyllje të kësaj faze, PD Kurbin tashmë propozon kandidatët.

Si në të gjitha degët e Partisë Demokratike në Shqipëri edhe në degën e Kurbinit po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie. Dega e PD Kurbin përfshin ish-njësitë Laç, Mamurras, Milot dhe Fushëkuqe.

Anëtarësia propozon kandidatët potencialë përmes të cilëve komunitetet do të mund të përfaqësohen në parlament dhe në bashki. Më shumë se gjysma e grupseksioneve janë shprehur dhe emrat kanë nisur të spikasin.

Sipas burimeve të afërta me PD, ndër emrat e propozuar janë kryetari i degës Behar Haxhiu, ish-deputeti Anton Frrokaj, anëtari i Këshillit Kombëtar Indrit Vokshi, ish drejtues demokratë dhe anëtarë të kryesisë si Kastriot Piroli, Genci Doçi, Danjel Gjoka, Ndue Bitraj, Gjovalin Laska dhe të tjerë.