Lezhë/ 5 Fshatra shuajnë etjen, nisin punimet për ujësjellësin e ri…

Banorët e fshatrave Pllanë, Zejmen, Markatomaj, Tresh e Spiten në Njësinë Administrative të Zejmenit do të mirëpresin një investim që e kërkonin prej më shumë se 30 vitesh.

Bashkia e Lezhës ka mundur që nëpërmjet një projekti ambicioz të sigurojë mbështetjen e qeverisë shqiptare për ndërtimin e një ujesjëllësi të ri që do të sigurojë furnizimin e vazhdueshëm të popullatës me ujë të pishëm.

Investimi me vlerë 249 milionë lekë (pa TVSH) është prezantuar nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu në një takim ku krahas banorëve ishin të pranishëm edhe drejtues të tjerë vendorë si Prefekti Gjokë Jaku dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Eduard Ndreca.

Projekti i Ujësjellësit të ri, punimet e të cilit parashikohen të përfundojnë brenda 18 muajve nga nisja e tyre, do të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit më ujë të pishëm të rreth 10 mijë banorëve të gjendur në një situatë serioze për furnizimin me ujë të pishëm.

Në fshatrat Pllanë dhe Markatomaj ujësjellësi nuk ekzistonte dhe uji sigurohej vetëm nëpermjet shpimeve apo mbushjes në zona të tjera, ndërsa për banorët në Zejmen, Tresh e Spiten kishte furnizim të pjesshëm dhe nuk përmbushte nevojat e banorëve.

Në fjalën e tij përballë banorëve, kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu ka bërë të ditur se ky moment është më i prituri për banorët dhe një problematikë që tashmë merr fund.

“Uji ka qënë një nga problemet kryesore që është kërkuar gjithnjë prej banorëve në cdo takim dhe ne hartuam projektin për një ujesjëllës të standarteve dhe që garanton furnizimin e vazhdueshëm të banorëve të 5 fshatrave për 25 vitet e ardhshme. Qeveria e mbështeti projektin tonë dhe sot është dita për të konfirmuar një fjalë të mbajtur dhe koha kur nisim punimet për ujesjellësin.”, është shprehur Ndreu

“Ne jemi për t’ju shërbyer ndaj presim bashkëpunimin dhe sugjerimet tuaja për të vijuar në ndryshimin që duhet të prekë edhe këtë Njësi Administrative, ndryshime jo vetëm për ato të premtuara, por edhe për të tjera që ndikojnë në përmirësimin e jetës së banorëve. Ne sot po vendosim dorën në një plagë të madhe për ta zgjidhur por nuk do të reshtim së punuari për cdo banor e në çdo njësi”, shtoi ai.

Investimi për ujesjëllësin e Zejmenit parashikon ndërtimin e 5 depove të reja si dhe rikonstruksionin e plotë të atyre ekzistuese si dhe ndërtimin e rrjetit shpërndarës për zonat me densitet të lartë ndërtimesh.