“Lezha nuk çlirohet po morën edhe Bashkinë”/ Indrit Vokshi ngel në klasë prezantimin e Ndreut!

Dy ditë pas prezantimit përpara elektoratit që Edi Rama i bëri kandidatit Ndreu për drejtimin e Bashkisë Lezhës, ka ardhur edhe reagimi i një prej figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike të Lezhës, Z. Indrit Vokshi.

Ja si shprehet ai:

Koment për prezantimin e Pjerin Ndreut në Lezhë!

Pjerin Ndreu deklaron se Lezha vuan prej bashkisë së PD-së. Në Lezhë socialistët kanë dhjetra drejtori; policinë, spitalin, sigurimet, OSHE-në etj. dhe të gjitha këto që kanë pushtet më shumë se bashkia, funksionokan mirë, vetëm bashkia ia shkaktoka vuajtjen Lezhës. Dhe Lezha do u çliroka vetëm po morrën këta edhe bashkinë.

Ketë nuk e beson askush, se s’ka si ta besojë. Ky lloj arsyetimi mbetet në klasë. Nuk kalon. Nga ana tjetër, Ndreu i bën thirrje publike Edi Ramës që t’i alokojë fonde kur ai të bëhet kryebashkiak, sepse pa mbështetjen prej qeverisë me fonde, ska mundësi. Pra pranon se duhet mbështetja e qeverisë.

Nëse pranon se duhet mbështetja qeveritare, duhet pranuar se kjo mbështetje qeveritare ka munguar. Dhe këtu duhet kritikuar Edi Rama i cili e ka diskriminuar si bashki të djathtë dhe, nëse iu kujtohet, ka pasur paturpsinë skizofrenike që në 2015 në fushatë t’iu thotë njerëzve se po nuk votuat kandidatët e mi nuk ka fonde për ju.

Unë nuk jam fanatik i verbër. Nuk jam kundër bashkëpunimit partiak për të mirën e Lezhës dhe nëse ky kandidat, Ndreu, do kishte dashur ta kishte vërtet respektin e lezhjanëve do i thoshte kryeministrit të tij; financoja disa projekte bashkisë Lezhë, tia mbikqyrim që të mos ketë abuzime dhe, po të donte pastaj ta përdorte në favor për të thënë po, unë lobova për financime për bashkinë edhe pse e kam kundërshtar, se veprat nuk i merr kryetari në shpi por iu mbeten lezhjanëve. Mirëpo se ka bërë ketë, mesa duket sepse nuk e zotëron ketë shkollë politike.

Lezha s’ka nevojë as për britma, as për ta sharë e tentuar uljen e kundërshtarit, ka nevojë për bashkëpunim të palëve për disa projekte ekonomike që do t’i pasurojnë familjet lezhjane. Duhet seriozitet, jo propagandë. Edhe Pjerin Ndreu edhe kushdo tjetër ka të drejtë të kandidojë, ta ofrojë aftësinë e vet, mirëpo duhet vërtetësi, jo manipulim. Kur ka manipulim, s’ka qëllim të mirë.