Lezha midis dy vatrave, infeksioni përhapet me shpejtësi në Kurbin

Për fat të mirë, në bazë të shifrave zyrtare, të bëra publike deri më sot, për më tepër se 1 javë, shtrirja e koronavirusit duket se është bllokuar tek numri 14, në Lezhë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë në rang Qarku megjithatë. Për fat të keq, Kurbini, ashtu siç u paralajmërua se do të ndodhte, dhe siç e zbuluan shifrat sot, është kthyer në vatër të rrezikshme infeksioni.

12 persona të prekur me virusin Sars-CoV-2 vetëm në 24 orët e fundit, duke e çuar në 19  numrin total të të prekurve në Kurbin.

Nga ana tjetër, janë plot 99 raste të tjera, që e kanë bërë Shkodrën të listohet e dyta, (pas Tiranës), në rang Republike për numrin e lartë të të infektuarve.

Lezha u rrethua. Me 19 raste të shpejta nga Kurbini, në njërin krah. Me 99 raste të tjera, gjithashtu të shpejta nga Shkodra. Lezha e gjendur në mes, si e sforcuar në kështjellë, edhe pse pa raste të reja për kaq shumë ditë, duhet sot, më shumë se asnjëherë mëparë, që çdo qytetar të rrisë vigjilencën. Gjendemi tashmë midis dy vatrave.