Lezha me Kryebashkiak të Ri, është Z. Pjerin Ndreu!

Me mbi 12 mijë vota të shënjuara përbri emrit të tij nga votuesit e ditës së djeshme në favor të kandidatit socialist Pjerin Ndreu e bëjnë atë fitues.

Pas Agron Dibrës, Njazi Reçit, Gjokë Jakut, Viktor Tushës, dhe Fran Frrokajt çelësin e shtëpisë kryesore të qytetit e merr Z. Pjerin Ndreu.

Pjerin Ndreu është Kryebashkiaku i ri i Lezhës, duke arritur kështu një nivel të ri në hierarkinë e institucioneve të shtetit. Përgjegjësia bëhet akoma më e madhe kur bëhet fjalë për një Bashki si ajo e Lezhës.

Kush është Pjerin Ndreu?

Pjerin Ndreu ka lindur në qytetin e Pukës, më 12 dhjetor të vitit 1966, është i martuar me Znj. Arlinda Ndreu, dhe kanë 3 fëmijë, Alvin, Renalda dhe Kristi Ndreu.

Z. Ndreu ka një karrierë të pasur në fushën e rendit dhe sigurisë.

Pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme në vitin 1988, Ndreu emërohet inspektor i Policisë Kriminale në Lezhë e më pas drejtues i Policisë Kriminale në disa qytete, si Shkodër, Berat dhe Mirditë.

Prej viti 1997 e deri në vitin 1999 Pjerin Ndreu mbante postin e shefit të Komisariatit të Policisë Lezhë, Komisariatit nr.1 në Tiranë dhe Drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër. Në periudhën 1999-2002 Drejtor Policisë së Qarkut Gjirokastër, Drejtor i Policisë Kufitare Shkodër.

Pjerin Ndreu arriti kulmin në vitet 2002-2004, ku mbajti poste të larta në Policinë e Shtetit si zv.Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë. Pjerin Ndreu mban gradën policore Kryekomisar, ndërsa është dekoruar në vitin 2003 nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes”.

Gjatë shërbimit në polici, Ndreu kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Drejtësi, e më pas nga viti 2007 e deri në vitin 2013 ka qenë pedagog i kriminologjisë dhe kriminalistikës, Fakulteti Drejtësisë “Justiniani I”. Ai gjithashtu ka ndjekur një sërë kualifikimesh dhe trajnimesh për gjuhën dhe sigurinë kombëtare në Gjermani, Kanada, Oxford Angli, ICITAP etj.

Prej qershorit të vitit 2013, Z.Ndreu është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Në Maj të 2019-ës ai hoqi dorë nga mandati i deputetit për të hyrë në garë si kandidat për Bashkinë e Lezhës nën siglën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.