Lezha bllokohet nga të katër anët, trafik i rënduar prej ditësh…

Të gëzohesh apo të hidhërohesh?

Nga njëra anë, bllokimi i rrugëve prej mjeteve të shumta që duan të qarkullojnë nëpër Lezhë, në çdo hyrje dhe dalje të saj, është një tregues fluksi, lëvizjeje, shkëmbimi, qarkullimi, gjallërie ekonomike.

Nga ana tjetër, është një torturë e vërtetë të presësh që vargu i stërgjatë i makinave të përparojë 1 metër në minutë.

Prej ditësh, pothuajse të gjitha akset kryesore të Lezhës kanë qënë të tejmbushura me qarkullim të rënduar të automjeteve, ku sipas të dhënave, kategoria trafik-krijuese e parë janë pushuesit ditor, të cilët hyjnë dhe dalin nga Lezha (Shëngjini) brenda ditës.

Ndërkohë që Instituti i Meteorologjisë ka paralajmëruar se deri me 3 Shtator do të kemi një mot të nxehtë dhe perfekt për pushuesit në plazhe, kjo do të thotë njëkohësisht se trafiku në Lezhë do të jetë po ashtu i rënduar.

U bëjmë thirrje qytetarëve të drejtojnë automjetet me kujdes dhe durim, si dhe efektivëve rrugor të shtojnë prezencën e tyre tek një ndër pikat me rrezikshmërinë më të lartë siç është kryqëzimi i Rrilës. Një pikë nevralgjike kjo, ku çdo minutë mungese e policisë rrugore, është një bast që luhet në disfavor të jetës.