Ky është Viti Zero për Shqipërinë/ Profesori i Gjeologjisë: “Ja ku gabuan projektuesit!”

I ftuar në Report TV mbrëmjen e djeshme ka qënë gjeologu Klodian Skrame, i doktoruar për Gjeologji në Universitetin e Romës “Sapienza”, aktualisht Profesor i Gjeofizikës te Politekniku i Tiranës, dhe me një eksperiencë disavjeçare me shkencat e tokës dhe tërmetet në Itali.

Dr. Skrame është një nga ata persona të cilët i kemi patur vërtetë me pakicë këto ditë, pasi ekspertët janë ata që sot më shumë se kurrë duhet të dominojnë hapësirën e ekranit në këtë atmosferë ankthi e paqartësie.

Skrame ka prekur çështjet më kritike të pasojave, shkaqeve, dhe të asaj çfarë duhet të bëjmë saktë, pa humbur kohë sot e në vijim.

videon e gjatë por shumë interesante dhe dopiprurëse, Dr. Skrame ka folur edhe për gabimin e ndërtimeve të pallatave, pasi nuk janë azhurnuar me kriteret e ndërtimit, është bërë projektimi vetëm mbi bazën e një kriteri që është intensiteti i tërmetit (sa ballë pra), ndërkohë që bota i ka sofistikuar kriteret për mbrojtjen sizmike, në një protokoll specifik i cili quhet EroCode. Në Shqipëri kanë ndërtuar edhe në 2018-ën me kriteret e 79-ës.

Në vijim të intervistës Dr. Skrame ka folur edhe për një tjetër parametër i cili është ndoshta më kritiku dhe më i rëndësishmi që duhet marrë parasysh, është pra, ai që quhet nxitimi i truallit. Ky është një parametër shkencor, dhe po të shohim hartën e vjetër të Durrësit do të vërejmë se në këtë qytet ka patur një ishull të ndarë nga Toka i cili lidhej me urë, por gjatë regjimit, dhe këtë mund ta vërtetojnë edhe prindërit e gjyshërit tanë, është bërë Bonifikimi, që e lidhi ishullin me tokën për të krijuar kështu tokë bujqësore, e që më pas nga tokë bujqësore u përdor për hapësirë ndërtimi, nëse do të ishte marrë parasysh ky parametër, nxitimi i truallit, ndërtuesit në zonën e kënetës do të ishin dashur të përballesh me një pirg kriteresh shtesë. Pra, me pak fjalë, kriteret e ndërtimit nuk kanë buruar nga një bazë shkencore të specifikave për secilën zonë, (gjë të cilën EroCode e merr parasysh).

Për ta përmbledhur intervistën e ekspertit të shkencave të Tokës mund të themi troç konkluzionin tonë: Shqipëria është në vitin zero. Nga ky moment duhet të fillojë rindërtimi i vetëdijes kolektive se ne jetojmë në një zonë me aktivitet sizmik të vazhdueshëm, dhe me këtë në mendje, të ndërtohet gjithçka tjetër pasuese, qoftë banesat, qoftë infrastruktura, qoftë bilanci i shtetit, qoftë psikologjia kolektive e madje edhe përqasjet e njerëzve me njëri tjetrin.

Për këdo që është i interesuar të marrë informacion të saktë dhe të bazuar në shkencë në lidhje me tërmetet në Shqipëri ne jua rekomandojmë fuqimisht ta ndiqni intervistën e Dr. Klodian Skrame dhënë për Report Tv.