Kryetari i Qarkut Lezhë, pranon ftesën dhe kthehet në burim qetësie për të gjithë!

Në vazhdën e intervistave me fokus gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet i gjithë qarku, vendosëm që sot të intervistonim pikërisht, Kryetarin e Qarkut Lezhë Z. Eduard Ndreca.

Lezha News: Përshëndetje, z.Ndreca, në vështrimin tuaj si po menaxhohet gjendja e jashtëzakonshme në Qarkun e Lezhës?

Eduard Ndreca: Përshëndetje… ju falenderoj për pyetjen, por unë e dyshoj nëse vërtetë jam personi që mund të japë një gjykim mbi ecurinë dhe menaxhimin e situatës. Ajo çfarë unë perceptoj dhe mund ta them me bindje të plotë është se për këtë çështje ka patur një koordimin ndër-institucional të shkëlqyer, me Bashkinë Lezhë në qendër dhe të gjithë aktorët e tjerë në funksion të saj. E njëjta vlen edhe për Bashkinë Laç.

Lezha News: Ditën e sotme kryeministri i vendit u shpreh se të gjithë ndërtuesit që nuk u përgjigjen një-për-një qytetarëve për rikonstruksion dhe riparimin e dëmeve do të përballen me efekte penale. Nga ana tjetër specialistët dhe inxhinierët po bëjnë inspektimin e dëmeve nëpër të gjithë territorin e Lezhës. A mendoni se inspektuesit gjenden midis dy zjarreve, nga njëra anë Bashkia që u kërkon ta bëjnë punën me përpikmëri dhe nga ana tjetër ndërtuesit që mund t’u kërkojnë ta zbusin pak dorën?

Eduard Ndreca: Nuk mendoj se është në interesin e ndonjë ndërtuesi të kryeje ndërhyrje tek ekspertët, sepse fundja dëmtimet e fshehura, një ditë, qoftë e largët, do të dalin në pah dhe penalizimi do të ishte akoma më i rëndë. Kështu që edhe ndërtuesit e kanë në interesin e tyre më të mirë që dëmtimet të evidentohen me përpikmëri.

Lezha News: Ky është një mendim i juaji, por a ekziston garancia e plotë, një kuadër ligjor pra, që e mirë-përcakton një gjë të tillë?

Eduard Ndreca: Sigurisht që po, ju ndërhytë më pyetje ndërkohë që unë doja ta përfundoja argumentimin duke thënë se garancia e ekspertimit është 100% e sigurtë dhe e plotë.

Arsyeja e parë: grupet e inspektimit janë të përbëra nga inxhinierë dhe specialistë të sjellë nga Bashki dhe struktura të ndryshme.

Arsyeja e dytë: ka një angazhim maksimal të Kryetarit të Bashkisë për ta kryer çdo procedurë me përpikmëri nga ekspertët. Z. Ndreu po i ndjek me vëmendje maksimale të gjitha këto.

Arsyeja e tretë: Nëse dosjet do të vijnë në Qark si zakonisht do të kontrollohen me përpikmëri. Në të njëjtën kohë do jetë Qeveria që do t’i kontrollojë e do t’u qëndrojë mbi kokë të gjitha këtyre verifikimeve, pasi kjo do të jetë pika fundore ku bëhet edhe “kolaudimi” final i çdo dosjeje në lidhje me dëmtimet e gjetura.

Pra, të gjithë të jenë të qetë për këtë pjesë. Arsyet për shqetësim apo për të hedhur dyshime janë baraz me zero.

Lezha News: A i disponon Qarku Lezhë në strukturën e tij burimet njerëzore të mjaftueshme për të kryer shqyrtimin përfundimtar të dosjeve, besojmë se do të jenë voluminoze?

Eduard Ndreca: Është e vërtetë se Këshilli i Qarkut Lezhë nuk ka një strukturë të madhe, por kjo nuk na ndalon që të rekrutojmë specialistë enkas për këtë çështje.

Lezha News: A keni një mesazh për banorët në Qarkun e Lezhës?

Eduard Ndreca: Ka qënë një mbrëmje traumatike për të gjithë ne, kanë qënë ditë të mbushura me ankth dhe stres. Gjej rastin të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e atyre që nuk ia dolën dot dhe humbën jetën.

Nga ana tjetër, ka patur një reagim të pabesueshëm pozitiv koordinimi ndërmjet qytetarëve me njëri – tjetrin, dhe me institucionet. Lezha pati fatin e madh që jo vetëm nuk humbi asnjë jetë njerëzore, por edhe efekti psikologjik u menaxhua me sukses qoftë nga strukturat, qoftë nga vetë qytetarët që u shndërruan në burim qetësie dhe kurajoje për njëri tjetrin. Lezha u tregua me të vërtetë solidare.

Lezha News: Zoti Ndreca, faleminderit që pranuat ftesën dhe punë të mbarë.

Eduard Ndreca: Faleminderit Juve!