Kryebashkiaku Ndreu prezanton krahun e tij të djathtë e të majtë në Bashkinë e Lezhës

Kryetari i Bashkisë Lezhë Z. Pjerin Ndreu ka prezantuar dy figurat më të rëndësishme në hierarkinë e një Bashkie pas Kryetarit, që janë, ZV/Kryetarët.

Ndreu ka prezantuar “krahun e tij të djathtë” Z. Ermal Pacaj, i cili largohet nga drejtimi i Portit Kombëtar të Shëngjinit, për të marrë postin më të rëndësishëm në Bashkinë e Lezhës pas Kryetarit.

Ndreu ka prezantuar edhe “krahun e tij të majtë” që do të mbajë postin e ZV/Kryetares së Bashkisë Lezhë Znjsh. Oliana Moriseni

Nga zgjedhjet e Kryebashkiakut Ndreu kuptohet qartë se midis alternativës së zv/kryetarëve me përvojë, historik, e vite mbi supe me punët e Lezhës, dhe të rinjve me ambicie, energjikë dhe të arsimuar, ai ka zgjedhur këta të dytët. Sa i takon pjesës së përvojës, ai duket se ka vendosur të mbështetet vetëm tek këshilltarët e tij.

Faqja zyrtare e Bashkisë Lezhë në web (lezha.gov.al) duket paksa e prapambetur në kohë pasi ka azhurnuar jetëshkrimin dhe fotografinë e Kryetarit ndërsa sa i takon dy Zv/Kryetarëve për momentin është e pamundur të kemi një jetëshkrim të detajuar të tyre, për t’i ofruar lexuesit një të dhënë publike/zyrtare në lidhje me trajektoret e karrierës së tyre në PS apo në shërbim të shtetit.

Sidoqoftë, në çdo rast, ne do të donim t’u uronim suksese e punë të mbarë në ushtrimin e detyrës së lartë në shërbim të Lezhës.