Kryebashkiaku Ndreu paralajmëron: Gjoba të rënda për subjektet që ndotin ambjentin në Lezhë!

Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu shprehet se në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak do të propozohet për miratim paketa e gjobave për subjektet që ndotin plazhin e Shëngjinit.

Bashkia i ka në dorë të dyja, edhe kulaçin edhe kërbaçin. Pasi bëri fushatën sensibilizuese me administratën e Bashkisë për të vënë theksin tek pastërtia si një e mirë publike, tani e ka radhën kërbaçi, që janë gjobat për ato subjekte që e trajtojnë pronën publike përreth tyre sikur të ishte kosh plehrash i madh.

Sipas Ndreut, Shëngjini është i ndotur sepse bashkia nuk ka kryer rolin e saj.

Mungesë kapacitetesh, mjetesh, ndërgjegjësimi dhe mbi të gjitha kulturë për të mbajtur pastër ambientin. Këto janë arsyet që rendit kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili e pranon që situata nuk është ende nën kontroll në zonën turistike të Shëngjinit që vazhdon të jetë e ndotur.

Zgjidhja sipas tij do të vijë vetëm pas organizimit të ri të të gjithë sistemit të pastrimit dhe aplikimit të gjobave që sipas tij do të miratohen së shpejti në Këshillin Bashkiak.

“Ka qenë një kohë e shkurtër dhe një gjendje e mbingarkuar për shkak edhe të ndërgjegjes që ka lidhje me operatorët turistikë, kryesisht hoteleri dhe restorante dhe me vetë pushuesit të cilët na rezultojnë që të gjithë bashkë kryejnë një ndotje të papërballueshme për momentin”, thotë Ndreu.

VIDEO

Sa i përket ndotjes dhe papastërtive në të gjithë territorin e bashkisë, Ndreu fajëson kompanitë e pastrimit duke paralajmëruar edhe ato për penalitete për mos zbatim kontratash.

“Një paketë gjobash shumë të rënda do kalojmë në këshillin bashkiak.”, shprehet Ndreu.