“Krah studentëve për të ardhmen e vendit”, – nga Alma Jaku

Nga Alma Jaku, arsimtare dhe ish-drejtuese në Lezhë

Sot qe një ndër protestat më njerëzore, teksa studentët braktisën bankat e shkollës dhe u hodhën në rrugë, për diçka më shumë dinjitet dhe respekt nga ana e istitucioneve.

Atyre institucioneve miope, të cilat, në vend që t’i japin jetë e progres kulturës së dijes, po e mjelin atë si një lopë.

Sot, studentët i gjetëm rrotull Ministrisë së Arsimit, për efekt proteste ndaj tarifave të reja, rregulloreve të reja-pa rregull, të cilat jo vetëm që nuk nxisin rritjen e cilësisë arsimore, por e dëmtojnë gjer në themel arsimin dhe kryesisht, dëmtojnë rëndë xhepat e familjeve shqiptare.

Është për t’u çuditur se si asnjëherë s’kemi pasur një politikë që të bëhet shpatull krahërori dhe mbështetje për studentët. Përkundrazi, sistematikisht çdo vit, shohim të ndryshohen rregullat e shkollave sipërane, nga një Ministre Arsimi me master UFO-je dhe e paaftë për të thithur njohuritë univesitare.

Them kështu, sepse ne e kemi të njohur faktin se zonja Ministre ka ngelur në klasë, gjatë studimeve universitare.

Nga ana tjetër, aktualisht studentët shqiptarë janë më të nëpërkëmburit dhe më të përvuajturit në Europë.

Tarifat e kripura që ata janë të detyruar të paguajnë si bakshish për nëpunësit e lartë kravatëlarë të Dikasterit, nuk përputhen kurrsesi me mundësinë ekonomike të një familjeje shqiptare të dërrmuar e të rënduar deri në grykë me halle dhe problematika për të përballuar jetesën.

Lypet të kujtojmë se paga mesatare e një punëtori nuk i kalon njëzet e pesë mijë lekë në muaj, ndërsa tarifat e universitetit arrijnë shifra disaherë më të larta.

Edhe unë, si ish-mësimdhënëse, sot jam ngjitur studentëve. Jo për të protestuar apo për ndonjë arsye tjetër që dikush rëndomtë mund të mendojë, por për të mbrojtur një të “drejtë” të shenjtë dhe universale.

Sepse fundja, studentët janë mushkëria elitare e vendit, janë e ardhmja jonë, shpresa se kombi do jetojë përjetë.

Për rrjedhojë, u bëj lutje dhe i ftoj të gjithë ish-studentët e mi të të gjitha niveleve, të bëhen zë i protesës, ditë për ditë, gjersa kërkesat e studentëve të dëgjohen, të merren në vlerësim dhe të plotësohen.

Mos të harrojmë se protesta e çdo lloj natyre është dinjitet, vlerë e shtuar e një populli. Kësisoj, të ngresh zërin e revoltës kundra një qeverie arrogante, e cila sillet me mënyra dhe forma jo-njerëzore dhe jo-demokratike ballë popullatës në tërësi, dhe veçanarisht me studentët, nuk është kurrë e gabuar.

Qeveri që jep 20 milon euro për një kilometër rrugë nga njëra anë; dhe nga ana tjetër tenton të zhvasë xhepat e studentëve dhe familjarëve të tyre, të rrënuar ekonomikisht.

Një qeveri që vendos tarifë për çdo kredit të humbur nga studentët, a i pshtjellet në mendje se ata djem e vajza me vullnet të mahnitshëm, bëjnë sakrifica nga më të imagjinuarat ndër punët më të rëndomta, për Dijen dhe Edukimin e tyre?

Qeveritarëve, u sillet në rrashtë mendimi se ata të rinj japin gjithçka prej shpirtit të vet, për të qenë të realizuar e të plotësuar një jetë me njohuri arsimore? Që të mos bjerremi në harresë, kujtojmë se thuajse 80 përqind e popullsisë së Shqipërisë jeton nën një varfëri të skajshme, nga ku mundësia për të përballuar tarifa e fatura arsimore çmendurake është e pamundur, por edhe e pandershme.

Si pasojë e kësaj, vetiu lind pyetja se; « çfarë të mire mund të të japë një Qeveri që i thërret studentët me “shpellarë”, ndërkohë që vetë qeveritarët janë të implikuar në krimin intelektual të vjedhjes së teorive të diplomimit?».

Përveç kësaj; « a është e mundur t’i besosh disa qeverisësve ligjet e arsimit, në një kohë që vetë ata, fëmijët e tyre i dërgojnë në universitetet e huaja, me bursa të mirëpaguara nga taksat e shqiptarëve?»…

Përgjigjet gjeni vetë ju lexues, pasi të keni hedhur tej këta rreshta.