Jeta e çuditshme e çiftit skocez në Lezhë…

@Alien

Ata kanë jetuar në Karaibe, Japoni, Afrikë dhe në shumë vende të tjera por për çudinë më të madhe ata kanë vendosur ta bëjnë Lezhën shtëpinë e tyre të bukur.

Ardhja e tyre në Lezhë, ose mënyra sesi ata e kanë zbuluar Lezhën nuk ka qënë përmes ndonjë agjensie turizmi, reklame, apo artikulli të bujshëm në mediat angleze. Jo, asnjëra nga këto!

Gordon Thomson dhe Ann Thomson, kanë ardhur nga Glasgow i Skocisë, për t’iu gjendur afër një djaloshi, të cilit i kanë blerë shtëpi në Lezhë, e kanë adoptuar dhe jetojnë sëbashku prej më shumë se një viti.

Siç e thotë edhe thënia e vjetër e shenjtë që “njeriu nuk tërheq në jetë atë çfarë do por atë çfarë ka në zemër”, ashtu edhe historia e çiftit Thomson, të cilët zemra i shtyu t’i bënin mirësi dikujt, dhe shpërblimet prej kësaj i marrin çdo ditë në zbulimin e bukurive të të jetuarit në Lezhë.

“Just do it. Come enjoy Lezha. Meet the people and pini raki shtëpie, është fantastike!”, thotë Z. Thomson me të qeshur.

“Jam më fat që e kam zbuluar këtë vend dhe paguhem me rrogë britanike. Këtu çmimet janë tepër qesharake për gjërat e përditshme krahasuar me atje, por njëkohësisht edhe rrogat këtu janë tepër të ulëta. Kjo na ndihmon që të kursejmë dhe ta ndihmojmë akoma më shumë familjen tonë këtu në Lezhë”, vazhdon më tej zoti Thomson.

E pyetur nga intervistuesja në lidhje me gjërat e çuditshme që kanë vërejtur këtu në Lezhë, zonja Thomson nuk merr asnjë sekondë kohë për t’u menduar por e thotë menjëherë:

Pazari i Milotit. Është si të shëtisësh në një kopësht zoologjik, është plot me kafshë që sëbashku me njerëzit lëkunden nëpër fugona gjatë ecjes me qengjat, pulat, derrat, e dhitë nëpër bagazhe. Madje, pulat mund t’i merrni edhe në autobus.

Intervistuesja më pas në vijim të emisionit ka zbuluar edhe një tjetër fakt interesat që ka lidhje me shegën. E cila thotë për këtë të fundit, se në vendlindjen e saj në Australi, shega është një frut të cilin mund ta përballojnë vetëm të pasurit, sepse atje në Australi, një kokërr shegë kushton 11 dollarë. Ndërsa këtu 0,2 dollarë më e shtrenjta.

Zonja Thomson ka zbuluar edhe fjalën “budallë”, fjalën të cilën ajo e përdor ekskluzivisht për ata persona të cilët e ngasin makinën bashkë me fëmijët në timon. “Kam parë shumë budaaalll… thotë ajo, “me fëmijët në timon duke i dhënë makinës”.

Gordon Thomson shton më tej se gatimet në Lezhë, dielli dhe natyra formojnë një kombinacion unikal për ata që dinë ta vlerësojnë artin e të jetuarit.

Kuptohet qartazi tashmë, se zoti Thomson, i cili ka shëtitur anembanë botës, ka arritur në të njëjtin konkluzion mbi artin e të jetuar siç e kishte arritur edhe filozofi i lashtë grek Epikuri, dhe madje stili i jetës që Gordon predikon quhet tamam ashtu: epikurian – në nderim të filozofit të famshën të lashtë në kohë por tepër modern në mendime, i cili pati thënë: “Një gotë raki, pak djathë, dhe ca shokë të mirë, e kjo është të jetosh.”