Ja ku e gjetëm Kryetarin e Bashkisë Lezhë sot…

Një lajm i keq për punonjësit e Bashkisë dhe një lajm i mirë për banorët e Lezhës: Kryetari i Bashkisë Lezhë, Z. Pjerin Ndreu, e ka të çuditshëm raportin me gjumin.

Ende pa u falur rrezja e parë e diellit, sheshi Skenderbeg përballë ndërtesës së Bashkisë ka qënë i mbushur me jelekëblertë, e në krye të tyre, Kryebashkiaku Ndreu.

Për të qënë më të saktë, ka qënë ora 04:00 e mëgjesit e së Hënës së tij të parë në krye të punëve të Lezhës që e kanë gjetur në rrugën e Shëngjinit, i veshur me xhinse, dhe jelekun e blertë sipër bluzës, e ku nga pisllëku i dorezave në duart e tij kuptohet se nuk ka spostuar vetëm dy mbeturina sa për foto, por realisht i është përveshur punës.

Ai ka pak ditë që e ka marrë detyrën, dhe mund të ishte kudo, në zyrë, në takime, në mbledhje, në prezantime, në organizime staffi, por jo, asnjëra nga këto, ai ka vendosur ta nisë kështu rrugëtimin e tij me punët e Lezhës.

Sigurisht që as në ëndrrat më të këqija të një punonjësi bashkie nuk mund të jetë shfaqur një panoramë e tillë, në 4:00 të mëngjesit me jelek përballë Bashkisë, por nga ana tjetër e medaljes ky është një lajm i mirë për të gjithë banorët e Lezhës.

Fakti tjetër bindës që ky nuk ishte një aksion me prapavijë propagandistike vjen nga vetë Z. Ndreu i cili thotë fjalë për fjalë:

“Kam vendosur që nga nesër dhe çdo te hënë, njësi të shërbimeve në bashki, biznese dhe qytetar që duan të na bashkohen, ta fillojme ditën e punës shumë më herët.”

Pra bëhet fjalë për një vijimësi sistematike çdo të hënë të këtij aksioni, nuk ishte një vrull momental apo sporadik ky i Bashkisë.

Shënim***:

Duam të sjellim me respekt këtu në vëmendjen e lexuesit se fjala “aksion” është përdorur qëllimisht në këtë artikull.

E kuptojmë shumë mirë konotacionin dhe ngarkesën negative që mbart kjo fjalë për shkak të historisë së gjatë e të dhimbshme të regjimit komunist, sa herë përmendet fjala “aksion”, dëgjuesit e lidhin menjëherë me kohën e shkuar, por duam të saktësojmë këtu se në demokracitë më të zhvilluara të botës, ende sot, fjala “aksion” qytetar apo vullnetar ka një peshë specifike të konsiderueshme, aksionet qytetare janë një dobi e madhe publike, si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë krizash, shto këtu edhe forcimin e ndjenjës së solidaritetit dhe mbështetjes që qytetarët i japin njëri tjetrin, aksioni qytetar është një aset i madh publik, dhe ne mendojmë se duhet të trajtohet si i tillë, dhe se nuk duhet të mbetemi peng i nomenklaturës së shkuar, hija e rëndë e së cilës e shtrin efektin psikologjik edhe sot.

Republika e Shqipërisë ka miratuar një paketë me ligje shumë të mira në lidhje me aksionet qytetare dhe e riktheksojmë, duhet t’i trajtojmë ashtu siç i trajtojnë shtetet më demokratike të botës. Ne nuk mundemi dot të vazhdojmë ta paguajmë koston e mospërdorimit të tyre.