Ish-deputeti i Lezhës: “Listat e Hapura detyrim!”, dhe 2 paragrafë për një foto…

Ish-deputeti i Lezhës Z. Viktor Tushaj ka qënë i ftuar në emisionin Ditë e Re në Ora News për të folur mbi aktualitetin në vend.

Politika duhet ta pyesë mirë veten që si ka mundësi që nga zgjedhjet në zgjedhjet njerëzit nuk kanë shkuar për të votuar. Pse kjo humbje interesi?, shprehet Tushaj.

Politika, sidomos te popujt e varfër, siç jemi edhe ne, është përcaktuese për jetën e njerëzve.

Ky trend zbritës i pjesëmarrjes në zgjedhje është tregues i asaj sesi qytetari ndjehet sikur nuk bën asnjë ndryshim me votën e tij, e hamendëson të kotë mundimin për të dalë e për të shkuar te kutia e votimit.

Listat e hapura, thotë Tushaj, jam i sigurtë se e lidhin elektoratin shumë më tepër me përfaqësuesin e tyre, e ndiejnë si të tyrin, po kështu edhe përgjegjësia e të zgjedhurit është shumë më e madhe atëherë kur ka mbi shpatulla votëbesim e tyre.

Listat e hapur, kam bindjen tashmë se janë një detyrim për politikën, ka shtuar më tej Tushaj.

Z. Tushaj ka qenë deputet i Lezhës i zgjedhur nga listat e LSI-së, në Kuvendin e Shqipërisë, deri në kohën kur opozita e bashkuar dogji mandatet në bllok.

Tushaj gjithnjë ka kërkuar atë që meriton, dhe ka merituar atë që ka kërkuar, ai e plotësoi dhe tejkaloi pragun elektoral me votëbesimin e lezhjanëve në zgjedhjet e fundit (mbi 11 mijë vota), dhe daljet e tij në foltoren e parlamentit kanë qënë të shpeshta dhe mjaft fshikulluese ndaj qeverisë, në lidhje me çështjet më të rëndësishme të Lezhës, siç janë urbanistika, turizmi, dhe pronësia e munguar e tokave në bregdet të fshatarëve për më shumë 30 vite.

Duhet pranuar se Tushaj është një njohës i mirë i të gjitha problematikave akute jo vetëm të Lezhës por të të gjithë Qarkut.

Në përfundim, për t’i parë gjërat në një kënd paksa më të gjërë, nën filtrin e 25 prillit 2021, do të ishte naive të mos e pohonim se edhe LSI-ja po e galvanizon pak nga pak elektoratin e saj në Lezhë duke futur në skenë figura të rëndësishme lokale.

Kujtojmë këtu prezantimin dinjitoz të Z. Admir Kadeli si Kryetar i kësaj partie për degën Lezhë, por nuk mund të lëmë pa përmendur as ato që dëgjohen nëpër korridore për një rikthim të mundshëm të një mjeshtri të vjetër, themeluesit të Kështjellës Mediatike më të madhe në vend, Z. Nikoll Lesi.

Fotoja e një jave mëparë, në të cilën shfaqeshin zoti Lesi, Presidenti i Republikës, dhe titullari i Bar Restorant Bezhi, nuk ka sesi të jetë 100% e rastësishme.