Intervistë Ekskluzive e Pjerin Ndreut, kandidat për Bashkinë e Lezhës 2019

Kandidati, tashmë i zyrtarizuar për Bashkinë e Lezhës, z. Pjerin Ndreu ka mirëpritur një intervistë ekskluzivisht për LezhaNews, përgjatë së cilës ai ka bërë publike disa detaje të panjohura publikisht në lidhje me ecurinë e fushatës së tij.

LezhaNews: Zoti Ndreu ju po vijoni fushatën me të njëtjin intensitet ashtu siç do të kishit bërë sikur në garë të ishte edhe kandidati i PD?

Pjerin Ndreu: Siç edhe e kam shprehur mëparë, unë jam përgatitur që garën ta fitoj me kundërshtar, nuk është në varësinë time që të përzgjedh dhe të vendos kush do të jetë kundërshtari im, unë jam për fitore, pavarësisht kampit kundërshtar. Sot ne do zhvillojmë një takim për turizmin, ku edhe ju, ashtu siç çdo qytetar i rrethit të Lezhës jeni të mirpritur të jepni idetë tuaja.

LezhaNews: Meqë përmendët turizmin, sapo çelët edhe pyetjen tonë të radhës, si e keni planifikuar ju, pa hyrë në detaje, zhvillimin e turizmit, dhe a dispononi një model krahasues tuajin me atë që aktualisht është në zbatim në Bashkinë e Lezhës.

Pjerin Ndreu: Gjendja aktuale e turizmit në Lezhë është e tillë që për të mos dashur të përmend fjalën katastrofë, po ua lë juve në dorë të gjeni termin më të përafërt me “katastrofën”.

LezhaNews: Z. Ndreu, ashtu sikurse në fushatën e kaluar, ndryshe nga ajo për kryetarin, ajo për këshillin zhvillohet në shumë fronte, pasi Këshilli i Lezhës përbëhet nga 41 anëtarë. Kjo do të thotë se dhe nga informacionet e terrenit, lufta për këshillin është shumë e nxehtë ndërmjet dhjetëra partive në garë. Në këto kushte, a mendoni se do t’ju duhet të tregoheni një diplomat i shkëlqyer për ta dominuar këshillin përmes garantimit të shumicës në të?

Pjerin Ndreu: Puna e këshillit është shumë e thjeshtë, ndryshe nga hera e kaluar kur Partia Socialiste u hapi krah partive të vogla, për t’u bërë “qerasje” sa njërit sa tjetrit, kësaj here nuk do t’i hapë krah askujt, çdo votë do të numërohet një-për-një. 12 mandate këshilli PS i ka të garantuara si Parti në Lezhë dhe 10 mandate të tjera do të vijnë për efekt të fushatës dhe kthimit të votës nga partitë e vogla të koalicionit që mund të mos arrijnë kuotën.

LezhaNews: Nëse nuk është e nxituar, a mund t’i bëni publik 5 emrat kryesues të listës së PS për Këshillin Bashkiak të Lezhës?

Pjerin Ndreu: 1) Eduard Ndreca 2) Rexhina Sokolaj 3) Hasan Muça 4) Marte Simoni 5) Emirjan Lazri

LezhaNews: A është pritur me shkëndija kjo listë këshilli nga struktura e PS-së së Lezhës?

Pjerin Ndreu: Kjo është hera e vetme kur “shkëndijat” kanë qënë më të pakta se të gjitha rastet e mëparshme, dhe mos harroni se nuk ekziston ndonjë listë që pritet pa shkëndija, askund.

LezhaNews: Cilat mendoni z. Ndreu se janë potencialet e munguara të Lezhës?

Pjerin Ndreu: Dy janë shtyllat kryesore në të cilat mund të bazohet zhvillimi i Lezhës, 1) Turizmi 2) Bujqësia dhe shkrirja e të dyjave bashkë nëse mund ta themi kështu: agroturizmi.

Ideja jonë, e cila po përkthet në projekt konkret nga arkitektë shqiptar ka identifikuar 3 pika kyçe për zhivillimin e ofertës turistike që janë 1. Shëngjini 2 . Talja dhe 3. Kune-Vaini

Secila prej këtyre do të zhvillohet sipas një projekti të mëvetësishëm, jo një model shabllon që aplikohet tek secila, por që specifikat gjeografike të së cilës do të lindin një model që do të aplikojmë.

LezhaNews: Ky projekt duket bindës dhe tërheqës në letër, por këtu flitet për diçka afatgjatë, pra diçka që nuk do të mund ta realizoni dot në 6 muajt tuaj të parë si kryetar bashkie.

Pjerin Ndreu: Sigurisht që po, studioja e arkitektëve dhe specialistëve të tjerë të përfshirë në projekt, përllogarisin që brenda dy vjetëshit të parë të jetë i përfunduar.

LezhaNews: Zoti Ndreu, nga do të mbijnë këto para për të zhvilluar projektin e turizmit me trinomin Shëngjin-Tale-Vain?

Pjerin Ndreu: E saktë pyetja juaj, por mos harroni se qeveria shqiptare punon me projekte, nëse qeveria shqiptare nuk merr nga bashkia një projekt bindës, që garanton se investimi do të kthehet mbrapsht në të ardhura për buxhetin e shtetit atëherë është afër mendsh se nuk lëvrohen fonde. Prandaj, ndryshe nga bashkia aktuale, ne punojmë me projekte.

LezhaNews: Zoti Ndreu faleminderit për kohën tuaj dhe fushatë të mbarë!

Pjerin Ndreu: Faleminderit Juve!