Humbi betejën me koronavirusin! Miqtë e tij në Lezhë, në trishtim dhe të shokuar!

Agroni nxitoi. Me një dosje që e kishte gjithnjë nën krah. Me një ecje të ngutshme, si çdo nëpunës që përpiqet të mos ia zërë puna punën, duke frymuar shpejt, ngjiti shkallët e Këshillit të Qarkut.

Palosi disa shkresa, fiku kompjuterin, dritën, ngrohësin, e kaloi të bardhën e dorës nëpër cepin ballit. Kapi këmishën me majën e gishtave dhe e tërhoqi paksa, ngaqë kështu i dukej sikur pengonte djersitjen, ose i jepte një lehtësim në kraharor. Ndenji një grimë herë ashtu, pa lëvizur, në qetësi, priti se mos i vinte në mendje ndonjë gjë që rrinte fshehur në harresë…

Mbi syprinën e printerit, mori biletën që e kishte bërë gati, hoqi çelësat nga dera e zyrës, i vendosi në anën tjetër të bravës, doli jashtë, mbylli derën dhe e rrotulloi çelësin dy herë. Krisma e shkaktuar nga mekanizmi në momentin e kyçjes, në hapësirën e errësuar të korridorit, atij ju duk se lëshoi një tingull që përsëritej e largohej duke u shuar pikëllueshëm, tamam si ajo rrokullisja e rrezikshme sekondare e fateve njerëzore.

Me fatin nuk mund të bëhen bisedime paraprake; është Mbreti Rast që na bën fatlumë apo fatkeqë, do të thoshte në një rast të veçantë Viktor Hygoi.

Agron Vraja, 52 vjeç, ish-këshilltar i Këshillit të Qarkut, nëpunës i këtij institucioni, nuk ia doli dot në betejën me koronavirusin, edhe pse nën kujdesin mjekësor të një prej vendeve më të përparuar të botës.

Ai fluturoi me avionët e fundit që u nisën nga Europa drejt Amerikës, ku do të shkonte për të takuar të birin student atje.

Përmasat e dhimbjes nga humbja e Agronit i kuptojmë edhe përmes fotografisë së tij e cila sa vjen e shfaqet gjithnjë e më tepër nëpër faqet e qindra miqve të tij lezhjanë.

“…do na mungosh gjithë jetën dhe ne tjerëve që u rritëm bashkë, ndamë gjithçka e perditë tash 50 vjet, ishe si një vëlla kaq i mirë, një model që rrallë në jetë mund t’kesh fatin ta kesh pranë!”, shprehet Prefekti i Lezhës, Z. Gjokë Jaku.

“Oh Agron Vraja… Agroni nuk ka mundesi të këtë nderruar jetë, nuk ka mundesi të na presë në besë, megjithse prej ditesh ishim në ankthin e kesaj tragjedie tënde.”, shprehet Agostin Marku, prej shumë vitesh koleg e mik i tij.

“Nuk e besoj dot. Ndanim ne ditet tona te punes veç gjera pozitive se Goni i tille ishte, veç pozitivitet reflektonte”, shkruan Eduard Ndreca, Kryetari i Qarkut.

Ne i shprehim ngushëllimet familjes, Zoti u dhëntë forcën për ta përballuar ndarjen me njeriun e tyre të dashur. U prehtë në paqe!