Hotel karantinë edhe në Shëngjin, reagojnë banorët, biznesi dhe PD Lezhë

SARS-CoV-2, ose i ashtuquajturi koronavirus, që i përkthyer nga latinishtja do të thotë virusi kurorë, është e qartë tashmë se një prej arsyeve pse duhet ta ketë edhe kurorën është se për më shumë 4 muaj ka qënë mbreti i vërtetë i lajmeve në të gjithë rruzullin.

Shtetet e ndryshme, drejtuesit e vendeve të ndryshme kanë përdorur terma më pak shkencor dhe më shumë konkret për të përcjellë shkallën e duhur të rrezikut.

Në Shqipëri, por jo vetëm, janë përdorur fjalët, luftë, armik i padukshëm, vigjilencë, bomba, goditje në befasi, e shumë të tjera si këto.

“Mos u çoni bombat prindërve në shtëpi”, është ndoshta këshilla më e theksuar e kryeministrit Rama gjatë gjithë këtyre muajve.

Jo më shumë se një javë mëparë, fotokopertina në Facebook-un e kryeministrit ishte me parullën “Kujdes nga Bombat”, duke quajtur kështu me figuracion, infektimin me koronavirus.

Ajo që nuk kuptohet, në këto momente, është heshtja e Ministrisë së Turizmit, në lidhje me kthimin e Shëngjinit në një vend me “repart bombash”, një vend që pret 70 mijë deri në 100 mijë pushues në vit, e që po përgatitet për hapjen e sezonit turistik, siç kuptohet nga kronikat e lajmeve, do të ketë mu në zemër të tij një qytet me hotel karantinë.

Kundër kthimit të hotelit më të madh në Shëngjin në karantinë për 1000 shtetas që do të hyjnë për të kaluar 14 ditët e para në Shqipëri, janë shprehur banorë të zonës, pronarë të bizneseve, dhe Dega e Lezhë e Partisë Demokratike përmes sekretares së kësaj dege Znj. Alfrida Marku.