Herës tjetër, kur të shohësh një punonjës shërbimi nëpër Lezhë, mos i thuaj që e ke lexuar këtë…

Pak ditë mëparë Universiteti i Karlsruherit në Gjermani publikoi rezultatet bashkë me vërtetimin shkencor të kryer nëpërmjet pajisjeve mjekësore të imazheve mbi aktivitetin e trurit ku rezultoi se mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta ndikon drejtpërdrejtë në mirëqënien tonë psikologjike.

Kujdes pra, sepse fjala kyçe këtu është “mirëmbajtja”!

Jo vetëm të paturit hapësira të gjelbra, por ajo që ka më shumë rëndësi për psikologjinë kolektive të qytetarëve është ai sensi i mirëmbajtjes së tyre që jep efekt të drejpërdrejtë në psiken kolektive.

Papritmas, në kujtesë domosdo të vijnë të mendje punonjësit e shërbimit bashkiak, që me aq indiferencë mund t’u kemi kaluar pranë… dhe ja, papritmas, këta zotërinj na dilkan që jepkan kontribut të drejtpërdrejtë, i vërtetuar me shkencë tashmë, në mirëqënien tonë!

Pse jemi programuar që kjo të na tingëllojë kaq e çuditshme?

E gjitha ka lidhje me Ankthi për Status, një term ky, i cili u referohet shumë momenteve në jetën tonë të përditshme, kur ne të gjithë mund ta përjetojmë këtë ankth edhe në format më të zakonshme të tij, si p.sh kur dëgjon që do zhvillohet një party dhe ti nuk je në listën e të ftuarve, ose një shok i yti i punës është ngritur në detyrë sipër teje, apo dikush me të cilin ishe në universitet futet në një shtëpi që është dhjetëfishi i tëndes, kur një shok i tavolinës në bar ka marrë iPhone 11 Pro, ndërsa ti vazhdon akoma me 7 Plus.

Të gjitha këto pra mund të jenë situata ngacmuese të cilat kyçin një reaksion psikologjik që quhet ankthi i statusit. Kjo është ajo fushë të cilës një sipërmarrës i suksesshëm i kohëve tona thoshte me ironi dhe humor: “sa herë që një shok i imi korr sukses nje pjesë e imja vdes!”

Apo George Orwell i cili në shkrimet e tij thotë diku: “pas të 20-ve nuk i intereson askujt sesa i këndshëm je!”… që nënkupton se çfarë po bën në jetë, çfarë karriere po ndjek, ka më tepër rëndësi!

Arsyeja pse ankthi për status është një emocion kaq i merimangtë, një shqetësim pra, i cili qëndron i fshehur aty prapa qoshes dhe që mund të aktivizohet papritmas në çdo moment të ditës lidhet ngushtësisht me faktin se secili prej nesh, të gjithë ne, vijmë nga një pozitë e statusit të lartë, që e ka zanafillën te fëmijëria dhe vegjëlia jonë.

Nëse e shikon me vëmendje sesi trajtohen fëmijët e vegjel, foshnja, bebet, do të kuptoni se ata trajtohen në një mënyrë që çdo perandor romak do ta kishte zili. Kur ishe i/e uritur në vegjëli, dikush të sillte menjëherë për të ngrënë, e nëse nuk të pëlqente ushqimi mund ta pështyje në tokë dhe dikush do ta pastronte me siguri. Në vegjëli të gjithë të merrnin për të bukur dhe të lezetshëm dhe bënin çmos për të të sjellë buzëqeshjen duke të tundur një lodër përpara syve.

Fatkeqësisht, gjërat bëhen më të vështira teksa rritemi, pasi në moshën 25 vjeçare nëse e pështyn ushqimin përtokë, apo dikush ka ende skrupuj të të tundë një lodër para syve, askujt s’ke për t’i lënë ndonjë përshtypje të mirë.

Kështu pra, teksa rritemi gjërat fillojnë të bëhen të vështira, ndryshe nga fëmijëria kur e tërhiqje vëmendjen e të tjerëve pa bërë asgjë, thjesht duke qënë vetvetja, tanimë si të rritur duhet të bëjmë më shumë, duhet të arrijmë, duhet të fitojmë, imazhi ynë në sytë vetes dhe në sytë e të tjerëve lidhet me atë sesa shumë fitojmë.

Ekonomistët thonë se kjo botë është e motivuar ekskluzivisht nga paraja sepse ajo lidhet drejtpërdrejtë me imazhin, pra me figurën e personalitetit të njeriut.

Nëse shikoni me kujdes se çfarë e bën një punë me rrogë të ulët të pakëndshme, nuk është vetëm rroga e vogël, por është mungesa e dinjitetit, është mungesa e respektit që vjen e paketuar bashkë me një vend pune të keqpaguar.

Nga ana tjetër, ajo çfarë e bën një punë me rrogë të lartë ngazëllyese është se bashkë me rrogën e mirë vijnë edhe dinjiteti i lartë dhe respekti i gjithanshëm që njerëzit e shfaqin kundrejt teje përgjatë procesit të akumulimit të pasurisë.

Por prit se ka një mbrapshti të madhe këtu?

Kjo forcë e padukshme që na shtyn në kurth, sepse duke u nisur nga niveli i pagës, apo nga treguesit e llogarisë bankare ne biem në grackën e paragjykimit të karakterit të një personi duke u bazuar tek niveli i të ardhurave të tij.

Kjo na shtyn të mos u japim dhe aq respekt, atyre që janë të varfër ekonomikisht, nuk na duken dhe aq qënie dinjitoze, veshja, gustot, apo karriera e tyre nuk na intereson fort.

Ne kujdesemi kaq shumë për statusin tonë për një arsye të thjeshtë: sepse shumica e njerëzve kanë tendencë të jenë të këndshëm me ne sipas sasisë së statusit që kemi (nuk është rastësi që pyetja e parë që ne priremi të bëjmë nga të njohurit e rinj është ‘Me çfarë merresh? “).

Imagjinoni të takoni dikë dhe ta pyesni me “me çfarë merresh?” dhe nëse ai/ajo përgjigjet: punoj si koordinatore në Parlamentin Europian, sigurisht që fytyra jonë bëhet me e qeshur dhe vetvetiu na shpëton fraza “kënaqësi që u njohëm” por nëse nga ana tjetër personi të thotë “jam punonjës shërbimi në Bashki” do bëjmë sikur po shkruajmë diçka në telefon dhe do ta shmangim me stil duke shpresuar që përmes një fushe të panjohur magnetike hallet e problemet e jetës së tij të mos na i ketë ngjitur në momentin e shtrëngimit të duarve.

Në këtë mënyrë pra, harrojmë se ka plot njerëz të varfër ekonomikisht, që bëjnë një punë me rrogë të vogël të cilët mund të kenë një shpirt të madh njerëzor, që janë qënie vërtetë të denja njerëzore që kanë gusto, mendje të hollë dhe urtësi praktike befasuese, dhe na shërbejnë të gjithëve kolektivisht.

Harrojmë gjithashtu se ka aq shumë njerëz të pasur ekonomikisht, që nuk e përfillin rrogën fare, të cilët e kanë gjendjen shpirtërore të ngjashme me atë të një pellgu të mbushur me gjarpërinj e krokodilë, që botën e njohin vetëm përmes opsioneve “ma fute, ta futa” dhe se mezi presin gllabërimin e radhës.

Punëtorët e shërbimit, meritojnë respekt të lartë, ashtu siç u rezervohet ushtarakëve që shquhen për kauza kombëtare, sepse në fund të fundit i shërbejnë të mirës publike, mirëqënies tonë, dhe mbartin potencialin të na mësojnë, e të na e kujtojnë, sa herë i shohim buzë rrugës, në lulishte, në park, apo të kacavjerrur në shtyllat e ndriçmit, se njeriu është shumë herë më tepër sesa aftësia për t’u krimbur në para.