“Genci ta marr shpirtin po u bëre pis!”/ Kjo lagje në Lezhë e ka baltën si të shtëpisë…

“Genci ta marr shpirtin po u bëre pis!”, i bërtiti e ëma nga kati i katërt i pallatit duke ia tundur gishtin të birit që lozte me shokët aty në hapësirën midis ndërtesave.

U bëmë dëshmitarë të këtij skenari teksa kalonim rastësisht në një prej lagjeve më të rëndësishme të Lezhës.

Ndërkohë që Elon Musk dërgon sondat e tij në planetin Mars për të ekzaminuar përbërjen e dheut atje, banorët e kësaj lagjeje të Lezhës janë të detyruar t’i thonë mirëmëngjes e mirëmbrëma baltës përditë.

Është pra Lagjia “Besëlidhja”, tek 2 Kullat “Lura”, pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe Rryshfeteve.

Diku aty afër është edhe Aluizni, ka edhe institucione të tjera rrotull por peshën më të madhe të mëkatit e mbart fakti se si ka mundësi që një rrugë aq e vogël lidh jetesën e përditshme të aq shumë banorëve e njëkohësisht lihet në harresë.

Njëri prej shoqëruesve tanë tha, “si ka mundësi që këta banorë nuk bashkohen ta rregullojnë vetë?! Pse duhet të presin gjithçka nga Bashkia?!”

Ne jemi të bindur se këtë pyetje ia bëjnë vetes çdo mbrëmje e çdo ditë me shi banorët e kësaj lagjeje “pse nuk bashkohemi ta rregullojmë vetë, çfarëlloj robsh jemi kshu mor Zot?!”.

Mjafton kaq për të vërtetuar atë çka mësohet në leksionet e para të çdo Fakulteti Arkitekture në botë, që:

Arkitektura është psikologji, është mirëqënie. E njëjta vlen edhe për urbanizimin.

A e kuptoni mbrapshtinë pra, shëmtia e një rruge i bën gjithë banorët e lagjes të mendojnë keq për njëri tjetrin, i armiqëson ata, i bën më pak bashkëpunues, ashtu kot, pa lidhje, duke i shtyrë të mendojnë keq për njëri tjetrin përse nuk organizohen vetë e ta sistemojnë.

Pra balta e rrugës shkon aq thellë sa të bëjë pis edhe mendimet e njerëzve, për veten, për tjetrin, për institucionet, bashkinë etj.

Përfytyroni sikur kjo rrugë të ishte e sistemuar mirë dhe me trendafila të çelur në dyja anët e saj… a do të ishin banorët e lagjes më të mirë me njëri – tjetrin në këtë rast? A do të ishin qytetarë më të mirë?

Ne themi po, dhe e themi me bindje të plotë.

Dhe pyetja dramatike që kemi për Bashkinë është:

Pse nuk organizohen këta që ta rregullojnë rrugën vetë, keni ndonjë ide?