“Furtunë” në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Shkodër, pushohen 22 persona

Shkarkohet drejtori në Drejtorinë e Hetimit Tatimor të Shkodrës dhe 21 inspektorë të tjera. Lajmi bëhet i ditur nga vetë ministrja e Drejtësisë, në një deklaratë për shtyp.

Burime për TCH thonë se këto lëvizje janë shkaktuar si pasojë e denoncimit të korrupsionit në portalin e bashkëqeverisjes, në lidhje me tatimorët e Shkodrës dhe Lezhës, për ankesat e ardhura nga veriu i vendit.

Fill pas këtij denoncimi Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar kontroll me objekt verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor në marrjen e masave administrative ndaj subjekteve ekonomike dhe ekzekutimin e tyre.

Po ashtu, janë dhënë vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për 1 përgjegjës sektori dhe 13 inspektorë të tatimit hetimor.

Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh të ndryshme të cilat lidhen me mosrespektimin e kritereve ligjore, shkelje të rregullave të inspektimit apo mangësi në plotësimin dhe mbajtjen e dokumentacionit përkatës.