Fshatarët pa Tokë të Lezhës, dhe Opinioni i Venecias për Ligjin 7501

Epopeja dhe përpjekjet titanike të fshatarëve të Rrilës kryesisht, por edhe të Tales e më gjërë, duket sikur kanë marrë një sinjal shprese nga Komisioni i Venecias, i cili, këtij të fundit, krahas shqyrtimit të dekretit Presidencial, i është kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë edhe një opinion për Ligjin e Tokave.

Në këtë pikë Komisioni shprehet qartë, zotëruesit e tapive duhet të marrin tokat me pronësi, që të gjithë.

Nëse Qeveria ka nxjerrë ligje për anullimin e AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim) për shkak të ndërtimeve të kryera dhe zonës së caktuar për Investime Strategjike kjo përbën shkeljen e të Drejtave Themelore të Njeriut.

Venecia i sugjeron Qeverisë të kthejë ligjin mbrapsht dhe të mos e vonojë procesin e kalimit në pronësi të tokave për zotëruesit e tapive.

Kreu i Kadastrave, Z. Artan Lame, është shprehur se do të dëgjohet dhe respektohet opinioni i Venecias, duke e kthyer ligjin mbrapsht për ndryshime.

Me fjalë të tjera, ky është një lajm i mirë për të gjithë zotëruesit e tokave në zonat afër bregdetit të cilët, ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë, ‘gëzojnë’ ende pas 30 vitesh statusin absurd të “fshatarit pa tokë.”

Ia vlen të ritheksohet se Venecia doli në favor të tyre dhe se rruga e zgjidhjes përfundimtare duket e hapur.

Kur do të jetë dita që këta njerëz me të drejta të mohuara prej 30 vitesh do t’i kenë letrat e pronësisë në duar?

Kjo nuk mund të thuhet me saktësi, por ajo që mund të thuhet me saktësi është se çdo politikan e kandidat që e ka shkelur në ato zona i ka gënjyer ata banorë, duke u premtuar se e drejta e tyre themelore e pronës do të çohej në vend. Por të gjithë i gënjyen ata, si humbësit ashtu dhe fituesit, kanditatë e kandidate, burra e gra, majtas, djathtas e qendras.. deri sot!

Pronësia e tokës për fshatarin është e drejtë themelore e tij, dhe çdo gjykatë e botës do ta dënonte shtetin shqiptar për diskriminimin dhe dëmin e rëndë prej 30 e kusur vitesh që është bërë në kurriz të këtyre njerëzve.