Frrokaj në Provokacija, mesazhet e koduara, dhe intervista “me spec” e ish-Kryebashkiakut të Lezhës

Ish-Kryebashkiaku i Lezhës Z. Fran Frrokaj ka qenë i ftuari special në emisionin “Provokacija” të analistit Mustafa Nano.

Ashtu si gjithmonë në daljet e tij, edhe kësaj herë Frrokaj nuk doli nga vetja, ai përsëri ka folur me nënkuptime të fshehta.

Frrokaj ka pohuar se me shkollim është Inxh. Mekanik por me pasion tashmë është tjetërkush, sepse 16 vite jetë të kaluara duke dëgjuar hallet, problemet, vështirësitë, por edhe arritjet e meritat e njerëzve, 16 vite pra, nuk janë pak, dhe domosdo kanë një ndikim të padiskutueshëm në formësimin e karakterit dhe pasioneve.

Një nga momentet më pikante të bisedës ka qënë ai kur Frrokaj u pyet për profesionin e tij, duke iu përgjigjur Mustafa Nanos, “Profesioni im është Kryetar, kam 16 vite që më thërrasin kështu!

Është pikërisht fraza “Profesioni im është Kryetar!”, frazë e cila, na shtyn ta shtrijmë arsyetimin tonë në teh të shpatës.

Për shembull, Frrokaj mund të thoshte, Profesioni im është deputet, ministër, drejtor i përgjithshëm, këshilltar apo çfarëdo tjetër, për të nënkuptuar diçka në të ardhmen që ka të bëjë përsëri me njerëzit…

Por jo, ai nuk tha asnjërën nga këto, ai tha fjalën Kryetar, e cila kjo e fundit, nuk mund t’i shkojë për shtat asnjë institucioni tjetër përveçse Bashkisë në rastin e Frrokajt.

E dekriptuar, dhe e nxjerrë në dritën e diellit përgjigjja e Frrokajt është kjo: “Shumë shpejt, unë do jem përsëri Kryetari i Bashkisë Lezhë!”

Në vijim të intervistës me analistin Mustafa Nano, Frrokaj ka zhvilluar një bisedë sa të sinqertë po aq edhe të mbushur me “kunja” e pyetje-përgjigje “me spec”.