Finalizohet Super Operacioni i Policisë Lezhë: Në pranga 4 hajdutë!

FOTO ARKIV

Vodhën në banesën e një shtetaseje kosovare, por falë reagimit në kohë të Policisë arrestohen në flagrancë autorët.

Lexojeni të plotë deklaratën e Policisë së Shtetit:

Goditet një grup që kryente vjedhje të banesave në qarkun Lezhë.

Sekuestrohen radio si ato të Policisë dhe mjete që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve.

Vihen në pranga 4 persona.

Policia e Lezhës, pas sigurimit të informacionit se disa persona po vidhnin në banesën e shtetases F. M., në Shëngjin, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.

Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar në adresën e dhënë, autorët janë larguar me shpejtësi me automjet duke përfituar edhe nga errësira.

Policia është vënë në ndjekje dhe ka bërë të mundur që brenda një kohe të shkurtër, rreth 20 minuta, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Antagut”, në dalje të Shëngjinit, të bllokojë automjetin, së bashku me personat që qarkullonin në të.

Gjatë kontrollit fizik dhe në automjet, të ushtruar nga Policia, këtyre personave iu gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 aparat celular i vjedhur në banesë, një trapan që shërben për hapjen e dyerve, 2 palë doreza, 4 kaçavida dhe 3 radio si ato të Policisë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Anton Frroku, 49 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin;

– Rushan Hysi, 25 vjeç, banues në Tepelenë;

– Hodo Sinanaj, 28 vjeç, banues në Tiranë;

– Ardian Selamani, 48 vjeç, banues në Lezhë;

Këta shtetas dyshohet se kanë kryer edhe vjedhje të tjera në qarkun Lezhë e më gjerë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e tyre.

Gjithashtu, shtetasit Anton Frroku, në biznesin e tij, një lokal nate në Ishull, Shëngjin, nga punonjës të OSHEE-së iu konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.