Faturimi elektronik: lajm i mirë apo lajm i keq për bizneset e vogla? – nga Fatjon Bushi

Nga Fatjon Bushi, Kontabël i Miratuar

Viti 2019, ka sjellë për tatimpaguesit një sërë sfidash, të cilat po krijojnë kushtet për një përkeqësim të klimes të të bërit biznes.

Klima socio-politike e këtij viti, ka krijuar pasiguri të theksuara në drejtim të investimeve të reja dhe ruajtjen e treguesve financiare, për shkak të rënies të xhiros. Sikur të mos mjaftonte ky fakt, ndryshimet e shpeshta ligjore dhe shpallja e aksioneve represive, ka vendosur në panik të gjitha subjektet të mëdha, të mesme apo dhe biznesin e vogël.

Lufta ndaj informalitetit, është një funksion themelor që ekzekutivi duhet të ushtroje si një e drejte eksluzive, dhe në parim është një shërbim i mirë që i bëhët shoqërisë. Por ky aksion, duke u kombinuar me një sërë ndryshimesh ligjore, është shumë e vështirë për tu pranuar dhe respektuar nga biznesi në një afat të shkurtër kohor.

Një ndër shqetësimet e fundit të biznesit lidhet me ligjin ‘’Faturën Dhe Sistemin e Monitorimit Të Qarkullimit’’. Ky projektligj i hedhur për konsultim, sugjeron një sistem të ri të faturimit të mallrave dhe shërbimeve, nëpërmjet e-Faturave.

Referuar relacionit shpjegues të këtij ligji, objektivat që administrata tatimore dëshiron të arrije janë:

  • Minimizimin (uljen) e niveli të ekonomisë informale;
  • Përmirësimin e mbledhjeve të të ardhurave;
  • Identifikimin më lehtë të evazionit;
  • Bërjen e auditimit të taksave më kost-efiçent;
  • Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë;
  • Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin;
  • Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

Në parim, secila nga objektivat janë legjitime dhe në përputhje me qëllimin kryesor për të cilin është ndërtuar dhe ekziston sistemi tatimor.

Por a është gati biznesi për të përthithur në një kohë kaq të shkurtër një seri ndryshimesh ligjore?

Nga aktiviteti i përditshem dhe raportet që marrim nga bizneset, lajmet për disa ndryshime ligjore të ndërmarra gjatë këtij viti, kanë krijuar shqetësim dhe panik. Përshtatja me rregullat e reja, do sjellë një vështirësi në momentin fillestar të implementimit të këtyre ndryshimeve.

Referuar projekt ligjit të sugjeruar për miratim, ky ligj dhe në veçanti dispozitat për e-Faturën, në rendin juridik të Republikës së Shqipërisë, transpozon Direktivën 2014/55/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 16.04.2014,për lëshimin elektronik të faturave në prokurimin publik dhe Direktivën e Këshillit 2006/112/KE, datë 28.11.2006, për një sistem të përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar (OJL 347, 11.12.2006), në lidhje me faturën elektronike.

Por problemi themelor qëndron në faktin se biznesi në vendin tonë, është shumë larg standardeve të cilat ju referohen dispozitat e KE.

Duke qënë se shumica e bizneseve të vogla operojnë në zona sub-urbane apo rurale, mungon aksesi në internet për të bërë lidhjen On line dhe kjo do krijoje vështirësi në raportim. Gjithashtu një ndërlikim procedurial, do kërkoje aftësi shtesë në përdorimin dhe raportimin me sistemin e ri.

Bazuar në nenin 29, të projekt ligjit, thuhet se:

Pika 2: Tatimpaguesi që lëshon fatura, duhet që brenda 48 orëve, duke filluar nga data e ndërprerjes së lidhjes, të vendosë një lidhje elektronike (interneti) dhe t’ia dorëzojë të gjitha faturat e lëshuara, sipas pikës 1, të këtij neni, administratës tatimore, nëpërmjet një protokolli të veçantë në përputhje me udhëzimin e Ministrit përgjegjës për financat, si dhe pranuesit të faturës elektronike në rastin e përmendur në nenet 24 dhe 25, të këtij ligji.

Pika 3: Faturat e lëshuara sipas pikës 1, të këtij neni, konsiderohen se janë fiskalizuar saktësisht, nëse procesi i fiskalizimit është kryer brenda afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.

Pika 7: Nëse tatimpaguesi që lëshon faturë nuk mundet që në afatin e përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, të rivendosë lidhjen elektronike (internet), për arsye të nevojës për të ndryshuar pajisjen për vendosjen e lidhjes elektronike (internet), pamundësisë për të vendosur lidhjen elektronike (internet) për të cilën është përgjegjës ofruesi i këtij shërbimi, ose për arsye të forcës madhore, ai duhet të njoftojë administratën tatimore për këtë, dhe të dërgojë dokumentacionin ose provat e tjera që dëshmojnë pamundësinë e vendosjes së lidhjes elektronike (internet), sipas udhëzimit të Ministrit përgjegjës për financat.

Në rast se subjekti, e ka të pamundur lidhjen me internet, ligji përcakton:

Tatimpaguesi që lëshon faturë, në rastin e përmendur në pikën 1, të këtij neni, detyrohet:

a) të dorëzojë në administratën tatimore të dhënat e përcaktuara në kreun V, të këtij ligji, nëpërmjet platformes qendrore te faturave ose drejtpërdrejt në zyrat përkatëse të administratës tatimore;

b) të pajiset me pajisje fiskale dhe zgjidhje softuerike, në përputhje me nenin 18, të këtij ligji;

c) të pajiset me certifikatë elektronike sipas nenit 19, të këtij ligji; dhe

ç) deri në datën 10 të muajit të paraqesë në administratën tatimore të gjitha faturat e lëshuara në muajin paraardhës, nëpërmjet një medie portative ruajtëse, ose nëpërmjet shërbimit elektronik të administratës tatimore.

Nga ajo që nënkuptohet, janë shtimi i disa procedurave ekstra, të cilat shumica e bizneseve, e kanë të veshtirë deri në të pamundur t’i respektojnë, për shkak të specifikave në të cilat ndodhen shumica e këtyre bizneseve, sidomos ato të vogla dhe të mesme.

Shënim***: Titulli i shkrimit është redaksional, titulli origjinal: “e-Faturimi si një sfidë e 2020”