Erdhi radha e Tales! Shpaloset masterplani i 2 zonave të Rëndësisë Kombëtare në Lezhë

“Ti je ajo që bën, jo ajo që thua se do bësh”, thotë Karl Jung.

Ndoshta thënia e mençur e psikologut të madh Karl Jung, mund të aplikohet edhe më gjërë, jo vetëm tek njerëzit, por edhe tek qeveritë.

Pra një Qeveri është ajo që bën, jo ajo që thotë se do të bëjë!

Nga ana tjetër thënia e popullit, në versionin modern të saj është, “Nga e thëna në të bërë qëndron në mes një projekt i tërë”.

Pikërisht për këtë projekt, dhe për këtë det të tërë, u mblodhën sot në Lezhë, në ambjentet e Bar Poseidon në Tale, Ministri Klosi, ekspertët dhe hartues të Masterplanit, kryebashkiaku Ndreu, Prefekti Jaku, Kryetari i Këshillit Bashkiak Rakaj, Administratorja Guri si dhe përfaqësues të biznesit si z. Ded Malutaj, z. Vladimir Prenga etj., përfaqësues të dhomës së tregtisë, grupe të tjera interesi, si dhe banorë të zonës.

Fjalën e hapjes së kësaj konsulte publike e mbajti kreu i Bashkisë Lezhë, i cili, solli në vëmendje atë që kishte premtuar kohë mëparë në fushatë elektorale, që “për Talen, dhe Rërën e Hedhur do të ketë projekte të veçanta dhe specifike zhvillimi”, dhe sot, ja ku jemi, një hap përpara drejt konkretizimit të asaj ç’ka u premtua se do të bëhet.

Në përfundim të fjalës së tij, Ndreu ftoi ministrin Klosi që të bënte një panoramë të përgjithshme të Masterplanit, të cilin çdo qytetar mund ta lexojë të plotë duke klikuar këtu.

Ministri Klosi tha se Rëra e Hedhur dhe Talja janë dy perlat e fundit të Mesdheut të cilat presin zhvillim dhe për fatin e mirë nuk janë shëmtuar nga gogolët prej betoni.

Në të njëjtën gjatësi vale me Ministrin Klosi ishte edhe Prefekti Jaku, i cili theksoi edhe njëherë që “Shëngjinin e dëmtuam, të tregojmë se kemi zënë mend me atë që do bëjmë në Tale.”

Në vijim, me shtjellimin më të detajuar të Masterplanit për Zhvillimin e Tales dhe Rërës së Hedhur kanë vijuar ekspertët e kontraktuar nga Ministria e Turizimit dhe Mjedisit.

Hartuesit e Masterplanit, siç lexuesi mund ta evidentojë edhe vetë duke e shfletuar, kanë kryer një punë mjaft serioze. Nga leximi dhe shqyrtimi i masterplanit shohin që ata jo vetëm e kanë studiuar në terren me imtësi zonën por edhe kanë kryer ndarjen e tokave dhe zonave në mënyrën më optimale të mundshme që fuqizon zhvillimin real të zonës.

Janë parashikuar zona të caktuar për strukturat hoteliere, për shërbimet, për argëtimin, si dhe më të distancuara nga bregu ajo për ndërtimet.

Ndërtimi i nënstacionit elektrik të posaçëm për furnizimin me energji elektrike, burimet ujore, trajtimin e mbetjeve, kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha.

Sistemi rrugor gjthashtu, parashikon aksesimin e Tales nëpërmjet Rrugës Lezhë-Milot nga jugu përmes kryqëzimit të Tales dhe nga veriu nëpërmjet kryqëzimit të Rrilës.

Në përfundim të analizës, duke dëgjuar ato çfarë u thanë, dhe ato çfarë janë shkruar në masterplan, ai do të ishte i përkryer, nëse nuk do të kishte një detaj që nuk kuadron…

Në një analizë të shpejtë, gjithmonë sipas asaj që shkruhet në Masterplanin e paraqitur, numri kyç, e dhëna kryesore pra, ose si të thuash “thembra e Akilit” është ai që në gjuhë teknike emërtohet si “kapaciteti mbajtës”.

Ky numër pra, kjo e dhënë, buron në bazë të statistikave dhe treguesve në lidhje me numrin e pushuesve ditor (që vijnë e ikin brenda ditës) apo turistë (që qëndrojnë dhe kërkojnë akomodim).

Por një statistikë e tillë mungon, sepse nuk ekziston, sepse nuk ka ekzistuar ndonjëherë një zyrë statistike të merret me këtë punë.

Atëherë pra, si e kanë zgjidhur këtë problem, këtë mungesë të madhe, studiesit dhe hartuesit e Masterplanit?

Shumë thjeshtë, dhe me të drejtë, ata duke mos patur shteg tjetër, kanë përdorur normën mesatare ndërkombëtare.

Çfarë po kërkojmë të themi me këtë?

Po kërkojmë të themi se duke kaluar nga një mesatare në tjetrën dhe nga një rrumbullakosje tek tjetra, përfundojmë në një rezultat paksa të çuditshëm…

Këto llogaritje kanë nxjerrë për Talen një kapacitet mbajtës 6000, për Rërën e Hedhur 4900, për Rrjollin 6000 dhe për Spillenë 9000 e ca.

Ne jemi të bindur se Talja meriton një plan zhvillimi i cili mbështet një infrastrukturë e cila është në gjendje të përballojë më shumë sesa 6000 pushues.

Meqë ky i sotmi ishte një konsultim publik, ftojmë publikisht ekspertët hartues të rishikojnë mundësinë e ri-llogaritjes së këtij parametri, pasi siç e thamë, është treguesi kyç mbi të cilin mbështetet i gjithë masterplani.