Edi Rama në Lezhë: “Pjerin Ndreu është më i miri për të drejtuar Bashkinë”

Lezha ka qënë stacioni i radhës i fushatës së Partisë Socialiste për garën e 30 Qershorit. Koreografia dhe regjia socialiste edhe kësaj here, ishin në kombinim të përsosur. Ekspertë të pashoq në organizimin e eventeve, veçanërisht të atyre me kontekst elektoral.

Në podium u ngjitën figura të rëndësishme të PS-së së Lezhës, për të marrë fjalën pastaj kandidati për Bashkinë e Lezhës, Z. Pjerin Ndreu, i cili, ky i fundit, u shpreh se do të jetë kryebashkiak i të gjithëve, të atyre që janë me PD-në, të atyre që janë me LSI-në, i të gjithëve.

Në rendin normal të gjërave, Z. Pjerin Ndreu, është vetëm 29 ditë larg nga të qënit kryebashkiaku i ardhshëm i Lezhës, edhe pse në listën e votimit të publikuar nga KQZ ai do të jetë numri 3, Eduard Ndocaj numri 2 dhe Salvador Kaçaj numri 1.

Ndreu ka kritikuar ashpër administratën aktuale të Bashkisë gjatë fjalës së tij, dhe shprehu bindjen se do të ketë mbështjetjen e vazhdueshme të kryeministrit Rama për t’i dhënë Lezhës zhvillimin që meriton.

Pas tij fjalën e mori kryeministri i vendit Z. Edi Rama, fjalë në të cilën, ai përsëriti pak a shumë të njëjtat tematike të letrës së tij 7-të publike drejtuar popullit demokrat.

Z. Rama u shpreh se Pjerin Ndreu e tregoi në punën e tij si deputet që e meriton drejtimin e Bashkisë Lezhë dhe se ishte kandidatura që vetë lezhjanët e përzgjodhën si më të mirën për të marrë drejtimin e Bashkisë, dhe se ai është me të vërtetë një njohës i mirë i territoreve të Lezhës.

Retorika e mëtejshme e kryeministrit në vijim ka qënë e ngjashme me atë që ai ka theksuar veçanërisht ditët e fundit, që kanë të bëjnë me “çoroditjen” e disa partive opozitare.

“Nuk kemi hyrë për të sfiduar kundërshtarët në këto zgjedhje, por kemi hyrë për të sfiduar kundërshtarët e zgjedhjeve,” ka qënë kjo fjalia e kryeministrit e cila mori edhe brohoritjen më të madhe të të pranishmëve.