Ditët polake të Lezhës Vijojnë/ Emergjencat Civile të Lezhës marrin masat e domosdoshme!

Ditët “polake” të Lezhës sipas Institutit të Meteorologjië pritet të vijojnë të paktën edhe një javë.

Dallimi i vetëm këtu është se zbardhimi i borës ia shton bukurinë qyteteve polake, ndërsa ua nxjerr në pah problemet qyteteve shqiptare.

Lufta e njeriut me kushtet atmosferike ka qënë një problem i stërmadh në kohët primitive, por është larg së qëni i tillë në kohët tona, me përjashtim të një vendi të vogël në mes të Evropës, luftë e cila fitohet sistematikisht nga moti i keq.

Duke qënë se në Lezhë, ritmi i qytetit bie në zero pas orës 22:00, si dimrit po ashtu edhe verës, i vetmi paradoks që duhej evituar të mos ndodhte ishte pikërisht ai me rrugën e spitalit, pra gjërat mund të shkonin deri në atë pikë saqë njerëzit të humbnin jetën pikërisht rrugës nëpër të cilën duhet të kalojnë për të shpëtuar jetën.

Por ky paradoks është i pamundur gjithsesi, dhe për këtë janë treguar mjaftueshëm vigjilente Emergjencat Civile të Bashkisë.

Përshkak të pjerrësisë dhe prezencës së lagështisë, problematika më e madhe ishte në rrugën e spitalit.

Lëvizja e vazhdueshme e autoambulancave varej tërësisht nga qarkullimi përgjatë rrugës së Shelbuemit, segment që lidh bulevardin Gjergj Fishta me Spitalin Rajonal.

Rreth orës 20:00 Emergjencat Civile në Bashkinë e Lezhës angazhuan Drejtorinë e Shërbimeve, Zjarrfikësit dhe Policinë Bashkiake për të ndërhyrë në këtë aks rrugor. Pastrimi nga dëbora dhe hedhja e kripës çliroi edhe vetë drejtuesit e spitalit pasi shmangej ndonjë aksident i mundshëm.

Kreu i Emergjencave, Tonin Uldedaj, ndërsa e ka konsideruar si arterien kryesore rrugën drejt spitalit ka deklaruar se do të vijohet me monitorimin e vazhdueshëm deri në tejkalimin e situatës së krijuar.

“Ne si Emergjenca Civile jemi prezencë sëbashku me Drejtorinë e Shërbimeve dhe Policinë Bashkiake në rrugën kryesore, rruga e spitalit, e cila është arteria më e rëndësishme për lëvizjen e mjeteve dhe që duhet të qendrojë e hapur 24 orë. Kemi marrë të gjitha masat duke shpërndarë kripë që pengon ngricat në rrugë pasi parashikohet ulje e temperaturave dhe masat paraprake janë të domosdoshme.

Prej ditësh jemi të angazhuar në përballimin e situatës dhe pavarsisht se nuk kemi patur probleme, vazhdojmë të qëndrojmë të angazhuar 24 orë në mënyrë që ti përgjigjemi çdo emergjence dhe urgjence të mundshme. Kjo ka qënë një porosi e veçantë e kreut të bashkisë që të jemi në shërbim dhe tejkalim të situatës.”

Rruga e Spitalit është përballur në vitet e shkuara me probleme në qarkullimin e mjeteve pikërisht si pasojë e ngricave, ndaj edhe ka ardhur kjo ndërhyrje e parakohshme për t’i paraprirë ngricave që do të sjellë nata.