Demokrati lezhjan besimplotë: “Është e gjitha në dorën tonë!”

Sa larg dhe afër Europës nga Paulin Marku

Shqipëria! Një vend kaq i vogël me probleme kaq të mëdha.

Nuk e dimë akoma si ta quajmë këtë periudhë nëpër të cilën po kalon shteti Shqiptar, nëse do ta quanim “tranzicion” besoj se është tranzicion më i gjatë që nuk është hasur askund në historinë e asnjë shteti. Një shtet që gjithmonë sa shuan një zjarr konflikti në një anë, në anën tjetër ndizet një zjarr akoma dhe më i madh, një shtet që nuk mund ta marrë veten nga problemet e vazhdueshme që e godasin çdo ditë, ndërsa qytetarët janë lodhur duke kaluar nëpër këto peripeci dita- ditës, duke shtyrë kohën me mendimin se zgjidhjen e problemeve do ta gjejnë vetëm nëse dalin në emigracion jashtë shtetit.

Është vërtetë e dhimbshme të shikosh një mosorganizim të denjë shtetëror, ku do të duhej të funksiononte gjithçka ashtu siç duhet, por në fakt gjithçka po shkon e po humbet së bashku me shpresat e rrënuara të qytetarëve drejt një humnere të mbushur plot me pesimizëm.

Gjithmonë shqiptarët dhe elita politike e kohës, kanë ëndërruar që një ditë do të jemi pjesë e BE-së, mirëpo ka kaq shumë vite që e genjejmë veten me këtë ide dhe nga ana tjetër nuk jemi duke ecur me hapa progresiv përpara, por jemi duke shkuar gjithmonë e më prapa.

Me antarësimin në BE, Shqipërisë dhe qytetarëve të saj do ti hapeshin rrugë për investime të reja, ku të rinjtë do të gjenin zgjidhje brenda shtetit të tyre dhe nuk do të ëndërronin emigracionin, vendi jonë do të ishte një vend më i qëndrushëm, me ligje që do të respektoheshin dhe një vend që garanton paqe , do të kishim një standard jete shumë më të mirë dhe më të kënaqshëm se sa ky që e kemi momentalisht, sepse do të manexhoheshin shumë më mirë nevoja e pagave të qytetarëve me atë të nevojave të përditshme.

Jemi shumë afër antarësimit në BE, shumë afër kësaj mundësie që na hap dritare të reja shprese dhe perspektive, mirëpo akoma kemi punë për të bërë sepse duhet angazhuar të gjithë së bashku për të mirën e vetes tonë që ta meritojmë ashtu siç duhet një antarësim të denjë për në BE.

Çelësin për të hapur derën drejt BE-së, drejt mundësive të reja, e kemi në duart tona, gjithçka varet nga ne, duam të ndryshojmë dhe të përparojmë si shoqëri apo duam të shijojmë edhe më tej këtë situatë të pakuptimtë që jemi duke e jetuar?

Por unë akoma mbaj shpresë se Shqipëria është shtet i cili mund të bëhet model i atyre arsyeve të lartpërmendura, sepse është shtet ku dalin dita ditës njerëz të ngritur intelektualisht dhe breza që japin shpresë për të ardhmen, një ardhmëri e shëndoshë me ideologji pro evropiane.

Unë besoj dhe shpresoj.