Demokrati lezhjan bën propozimin e pazakontë dhe e nis nga vetja…

Z. Pashk Ndoci është një tjetër As nën mëngë i Partisë Demokratike, të cilin mund ta nxjerrë në fushën e lojës në momentin më oportun të mundshëm.

Z. Pashk Ndoci ka qenë student i dhjetorit, pjesëbërës dhe organizator i grupeve më të para studentore antiregjim. Siç e kemi thënë edhe mëparë, Partia Demokratike në Lezhë i ka inxhinierë me profesion të gjithë AS-ët nën mëngë, dhe nga rregulli nuk përjashtohet as Z. Ndoci, i cili, është Inxhinier Hidroteknik me profesion, dhe ka kryer studime Master në Planifikim Urban në Austri.

Pak më shumë se një javë mëparë ai ka bërë një publikim në faqen e tij duke prekur kështu një temë me ndjeshmëri të lartë publike. Z. Ndoci ka propozuar një formë të re dhe mjaft praktike të aplikimit të “Ligjit të Llustracionit”, pastrimit pra, të administratës nga ish-sigurimsat, përgjuesit dhe spiunët.

Tashmë është e mundur sepse ekziston një institut apo agjensi e konstituuar enkas për këtë punë, që të hapë e të hetojë dosjet e komunizmit.

Ajo çfarë nuk dinim më saktësi, e që Z. Pashk Ndoci na e vërteton me shembullin e tij, është se ky institut apo kjo agjensi, lëshon vendime, në bazë të kërkesës së të interesuarve nëse duan të vërtetojnë që s’kanë gisht në dosjet e komunizmit madje edhe nëse duan të dinë nëse ndaj tyre është “kurdisur” ndonjë mbrapshti (asokohe mund të ndodhte gjithçka) për qëllime nga më absurdet edhe shpikja nga hiçi e dosjeve.

Propozimi i inxhinier Pashkut është i thjeshtë: ashtu siç merret dëshmia e penalitetit si dokument bazë kur aplikohet për punë në administratën e shtetit apo edhe për efekte të tjera, ashtu si ajo, të paraqitet edhe ‘dëshmia e llustracionit’, dhe kjo do ta forconte pengesën e futjes apo qëndrimit në politikë apo administratë të atyre që i kanë rrënjët e ngulura thellë në të shkuarën e errët të vendit.

Kujtojmë për lexuesin se historia e spiunëve dhe përgjimeve në Shqipëri ka qënë një përzierje e tragjikes, komikes dhe e groteskut bashkë. Një aparat i nëndheshëm që prodhonte drojë, cënonte lirinë, tkurrte ndërgjegjen njerëzore dhe ia thyente qafën çdokujt që guxonte të kishte ide ndryshe prej atyre që dilnin nga veprat e mosndjesëpastit.

Sot, nëse i shfletojmë këto dosje do të na vinte të qeshnim me mënyrën sesi klasifikoheshin spiunët me specializime sipas shqisave, ku sypërgjuesit ishin ata që kishin treguar përpikmëri në spiunimin me sy, dhe veshpërgjuesit ishin ata që kishin një fushë dëgjimore të tingullit të bisedave njerëzore që i kalonte kufijtë e normales.

Për të qeshur e për të qarë kur lexon në brendësi të këtyre dosjeve lëvdatat që thureshin sipas rastit për një sypërgjues i cili kishte arritur nga mbi 100 metra distancë të dallonte në çehren e një gruaje, se ajo ishte e trishtuar.

Psikologë të ndryshëm europianë të cilët janë marrë gjërësisht me dimensionin psikologjik të celulave të spiunazhit të rëndomtë të diktaturave, e theksojnë me shkronja të trasha, se spiunët që i kanë shërbyer me devotshmëri një regjimi, mund të jenë mjaft të afërt, në mos të njëjtët me servilët që do t’i shërbenin çdo regjimi, të cilët e përshpejtojnë kalbëzimin e çdo pushteti.

Z. Pashk Ndoci, na tregoi në këtë rast, se po të duam t’i dëbojmë sojin e tyre nga punët e shtetit, zgjidhja është shumë e thjeshtë.