“Dalsh Faqebardhë”, Pjerin Ndreu hap derën e Bashkisë me urimin tipik lezhjan…

“Fatum est lateri fortis”, thotë një frazë e vjetër latine. “Fati është në anën e guximtarëve”, dhe sot, për ta ri-dëshmuar sesa thellësisht e vërtetë është kjo thënie ka qënë Z. Pjerin Ndreu, Kryetari Bashkie i Lezhës, i cili që para dy vitesh filloi të jetësonte planin për kandidimin në krye të punëve të Lezhës.

Ai e dinte se përballë do të kishte një kandidat që kishte fituar me 5 mijë vota plus, që kishte mbështetje absolute të djathtë, se Lezha ishte bastion blu, ai e dinte se do të ishte e vështirë të bindje dhe të merrje bekimin e Edi Ramës për kandidaturën, ai i dinte të gjitha këto…

…por ajo që ai nuk dinte e as nuk mund ta parashikonte dot para 2 vitesh ishte dinamika e jashtëzakonshme politike që u krijua në vend, dhe për këtë shkak, Pjerin Ndreut i mjaftoi guximi dhe era e fatit fryu fuqishëm në velat e tij.

Pallati i Kulturës sot në Lezhë pikonte djersë i tëri, i vetmi avull fresku vinte nga dy rrangalla të gjata bezdisëse e rrotulluese të shpërndara në dy cepat e podiumit.

Ndërsa në veshë vazhdonte të të vinte gumëzhitja trallitëse e pallatit, mbi pezullin e sipërfaqes së të cilit, herë pas here, si copëza shkume mbi një syprinë deti, ngriheshin copëra frazash e fjalësh.

Kur pëshpërima e turmës filloi të bëhej më e thekur, si ajo e një mize të zënë në kurth, u kuptua se në sallë po hynin personalitetet shtetërore, lëvizja e të cilëve dukej si e ngadalësuar për shkak të vapës dhe ajrit të pezullt të sallës.

E para që u ngjit në podium ishte Znj. Lindita Nikolla e cila i falenderoi të gjithë për pjesëmarrjen, uroi Ndreun për detyrën e re, dhe shprehu konsideratën e saj më të lartë për popullin e Lezhës.

@Lezha News

Menjëherë pas saj, fjalën e mori Kryebashkiaku i sapobetuar i Lezhës Z. Pjerin Ndreu, të cilin përveç brohorimës dashamirëse të turmës, atë e mbushte me energji edhe shkëndijimi në sytë e familjarëve të tij të ulur në rreshtin më të afërt përballë podiumit. Duhet të kenë qënë emocione të forta ato të atij momenti, por meqënëse Z. Ndreu është një folës publik i sprovuar, ai i transformon me mjeshtëri dallgët e brëndshme të emocionit në timbër vokal.

Kryebashkiaku Ndreu falenderoi gjithë lezhjanët për mbështetjen, dhe garantoi se edhe ata që nuk shkuan dot të votonin me 30 qershor, (për arsyet që dihen), do të ndjehen krenar për Lezhën që së bashku do ta bëjmë më të jetueshme e më të lumtur.

Më pas Kryetari i Bashkisë ka shprehur falenderime të përzemërta për praninë e tyre sot në Lezhë Z. Talat Xhaferri, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Z. Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm i Republikës dhe drejtues politik për Qarkun Lezhë, Z. Ulsi Manja Kryetari i Komisionit të Ligjeve, miqtë, shokët, përfaqësuesit e biznesit dhe të tjerë personalitete të pranishëm.

Në përmbyllje të fjalës së tij, mes duartrokitjesh dhe brohorimash ai ka ftuar të marrë fjalën Z. Sandër Lleshaj, i cili, ky i fundit, vuri edhe njëherë theksin te hisja e madhe e fatit që i qëlluar Z. Pjerin Ndreu për të drejtuar punët e një prej Bashkive më të rëndësishme në vend, qytetin e personaliteteve e figurave të mëdha të cilat i teprojnë kombit e jo vetëm Lezhës. “Dalsh faqebardhë!”, e uroi Sandër Lleshaj kryetarin e ri të Bashkisë në përmbyllje të fjalës së tij.

@Lezha News