ÇUDIA/Dyfishohet kostoja e rrugës Milot-Balldren, Ministria: Projekti ka ndryshuar…

95

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, një ditë pasi Top Channel publikoi se kostoja që qytetarët do të paguajnë për rrugën Milot-Balldren u rrit me gati 50 milionë euro në vetëm pak muaj, nxori një komunikatë zyrtare ku sqaron se “vlera e shënuar në relacionin e Buxhetit të Shtetit përfaqëson vlerën e parashikuar të kostos së ndërtimit të kësaj rruge në momentin kur është paraqitur idea, ndërkaq, vlera e vendosur në fondin limit të hapjes së garës për këtë koncesion është 20.1 miliardë lekë dhe përfshin brenda saj edhe ndryshimet që ka pësuar projekti”.

Top Channel publikoi dokumentet zyrtarë që tregojnë se si fatura e rrugës u shtrenjtua me 41.5 për qind nga dhjetori i vitit të kaluar deri në momentin e hapjes së tenderit. Për rrugën Milot Balldren, vlera totale e koncesionit që qeveria ka paraqitur në buxhetin e shtetit është 14.2 miliardë lekë.

Por 7 muaj më vonë, kur shpalli hapjen e tenderit, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur si fond limit për rrugën vlerën 20.1 miliardë lekë. Saktësisht 6 miliardë lekë ose 50 milionë euro më shumë se sa vlerësimi zyrtar i po vetë qeverisë.

Por edhe shifra prej 20.1 miliardë lekë është vetëm kostoja e ndërtimit. Meqenëse rruga do të ndërtohet me paratë e vetë privatit, qeveria gjatë shlyerjes me këste do të paguajë edhe interes. Duke përfshirë interesin dhe mirëmbajtjen për 13 vjet, në total fatura që qeveria do I paguajë koncesionarit privat për rrugën Milot-Balldren shkon në 27 miliardë lekë ose plot dy herë më shumë nga vlera e parashikuar në buxhet.

Por, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kosto e parashikuar në fondin limit të hapjes së procedurës përfshin kryerjen e një pakete ndërhyrjesh të reja krahasuar me variantin fillestar ndaj dhe shuma ndryshon nga ajo e shënuar paraprakisht në relacionin e Buxhetit të Shtetit.