Bëri namin në Tiranë! Vidhte para e bizhu në banesa, arrestohet ‘skifteri’ nga Fushë-Kruja

TIRANE- Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohet për një seri vjedhjesh në disa banesa. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Precious” u arrestua Kastriot Xhixha, banues në Fushë Krujë, i cili u kap në flagrancë duke kryer një vjedhje në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë, pas një hetimi disa mujor nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u identifikua dhe shpall në kërkim edhe një tjetër person i dytë, që kryente vjedhjet me Xhixhën, të dy me precedentë penale. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet G. A., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Këta dy persona akuzohen për shtatë raste vjedhjesh (kasafortash, vlerash të mëdha monetare e sende të çmuara) të ndodhura në banesa në periudha të ndryshme kohore.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kryenin vjedhje kasafortash e sendesh me vlerë në banesa duke hapur derën kryesore me një mekanizëm të përshtatura për hapjen e çdo lloj dere pa shkaktuar dëmtim të bravës.

Nga puna hetimore e kryer është dokumentuar me prova ligjore se këta shtetas janë autorë të vjedhjeve të mëposhtme:

– vjedhjes së shumës prej 13 000 në euro dhe të një kasaforte në banesën e shtetases Y. S., më datë 11.09.2018 në rrugën Shyqyri Berxolli.

– vjedhjes së disa bizhuterive të çmuara në banesën e shtetasit P. C, më datë 13.08.2018 në rrugën “Reshit Çollaku”.

– vjedhjes së 15 milion lekë të vjetra dhe disa bizhuterive floriri në banesën e shtetases Z. D., më datë 21.07.2018 në rrugën “Bogdanët”.

– vjedhjes së disa orave dore floriri dhe bizhuterive në banesën e shtetasit F. Sh., më datë 18.06.2017 në rrugën “Maliq Muço”.

– vjedhjes së 6 milion e 600 mijë lekë të vjetra dhe 10 000 euro në banesën e shtetases E. Ll., më datë 08.04.2017, në rrugën e “Barrikadave”.

– vjedhjes së 4 500 euro dhe 16 milionë lekë të vjetra në banesën e shtetasit L. Sh., më datë 09.09.2016 në rrugën “Fortuzi”.

-vjedhjes së 50 milion lekë të vjetra në banesën e shtetases N. V., më datë 25.11.2016, në rrugën “Reshit Çollaku”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”. (ed.me/BalkanWeb)