Bashkitë më pak fonde. KLSH: U zgjeruan në territor dhe nuk u mbështetën!

Pushteti qendror duhej t`u kishte dhënë të gjitha bashkive një fond shtese prej 12 miliardë lekë të reja, sipas një raporti më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Reforma e re administrative i ka rënduar financiarisht bashkitë. Reforma ka sjellë rreth gjashtë kompetenca të reja, janë kompetenca të cilat nuk kanë kaluar ose kanë kaluar pjesërisht tek bashkitë dhe ato qe kanë kaluar pjesërisht te bashkitë bazohen në një buxhet historik, që nënkupton që bashkitë e kanë të pamundur që të kryejnë investime. Këto gjashtë funksione të reja kërkojnë rreth 12 miliardë lekë shtesë në mënyrë që bashkitë ti ushtrojnë në mënyrë të plotë dhe sipas standarteve që kërkon ligji”, tha Redi Ametllari auditues i KLSH.

Bashkive i kaluan në kompetencë arsimi parashkollor ku në fakt emërimin e edukatorëve e bën ministra e arsimit, ndërsa godinat i rikonstrukturon bashkia, i kaluan zjarrëfikset por vetëm për të ofruar shërbime dhe jo për të invetsuar për makinat apo shtimin e numrit të punonjësve.

“Shërbimi zjarrfikës, është një shërbim që është mjaft i amortizuar dhe numri i punonjësve duhet të jetë më i lartë”, u shpreh Ametllari.

Reforma e re territoriale pritej të rriste autonominë vendore, por në fakt ka ndodhur e kundërta pasi edhe vjeljen e disa taksave apo tarifave ndërhyn pushteti qendror.

“Tatimi mbi të ardhurat personale, ndonëse njeh legjistacionin vendor që 2% duhet ti kalojë bashkisë, ky tatim nuk i ka kaluar akoma bashkive. Ndryshimet mbi taksën e biznesit të vogël i kanë sjellë bashkive 1.7 miliardë lekë më pak” sqaron Redi Ametllari

Fondet që i akordohen bashkive nuk kanë si kriter numrin e popullsisë. Nga ana tjetër pushteti vendor ka krijuar një debit për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve në vlerën e 28 .3 miliardë lekëve.

Kjo debi ka të bëjë me kontrata të lidhura për investime, blerje mallrash, shërbime apo vendime gjyqësore, të cilat qeveria qendrore nuk i merr përsipër ti mbulojë, por bashkitë duhet t’i shlyejnë me buxhetet e veta.

Burimi:Top Channel