Bashkia Lezhë sapo foli me gjuhën e fakteve! Publikon dosjen me 40 dokumente zyrtare…

Në faqen zyrtare të Bashkisë Lezhë sapo është shfaqur një album, i cili në fakt, nuk përmban fotografi por një varg të gjatë prej plot 40 dokumentesh, projekte, vendime, shkresa zyrtare e kërkesa të protokolluara.

Këtë dosje voluminoze dokumentesh, Bashkia e ka shoqëruar me një tekst relativisht të gjatë, por sqarues:

Të dashur banorë të Lezhës!

Kryetari i Bashkisë Lezhë Z.Fran Frrokaj, prej vitit 2016, ka depozituar në mënyrë të përsëritur pranë institucioneve të qeverisë shqiptare, përgjegjëse për infrastrukturën, kërkesat për miratimin e Projekteve për rehabilitimin e rrugës Balldre-Torovicë-Bent, rikonstruksionin e qendrës së fshatit Torovicë dhe rrugës së Shëngjinit, bashkëngjitur të gjithë dokumentacion teknik përkatës.

Bashkia Lezhë, në çdo qëndrim apo mardhënie ndërinstitucionale, përfaqëson banorët e Lezhës dhe ka prioritet vetëm interesin e tyre, për mirëqeverisje dhe zbatim të ligjit me qëllimin e vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës për më shumë se 108 mijë banorë në dhjetë njësitë administrative.

Ftojmë të gjithë përfaqësuesit politik të Lezhës, individët që kanë autoritet vendimmarrës në nivel rajonal apo kombëtar, që të luajnë nje rol pozitiv e jo të kundërtën, rol qytetar e jo të kundërtën, duke përfshirë gjithmone vetem interesin e qytetarëve për mirëqeverisje e mirëpërfaqësim dhe jo interesat e ngushta personale.

Transparenca dhe korrektësia, fillimisht janë individuale e më pas marrin vlerë dhe autoritet në nivel institucional e profesional.
Të drejtat dhe interesat qytetare duhet të qëndrojnë mbi çdo lloj arrivizmi politik të gjithsecilit.

Për më tepër, Bashkia Lezhë ia ka dalë me sukses që pas evidendimit dhe trajtimit profesional te prioriteteve të banorëve, të ndikojë pozitivisht pranë institucioneve kompetente, si dhe lobojë pranë kryeministrit për vlerësimin me prioritet të propozimeve të Bashkisë.

Në vijim, gjeni të gjithë praktikën dokumentare, identifikimin dhe konfirmimin si prioritete infrastrukturore themelore, miratimin në Këshill Bashkiak, studimin, projektimin dhe korrespondencën e Bashkisë Lezhë me institucionet përgjegjëse, për të bërë të mundur konfirmimin dhe financimin e dy projekteve infrastrukturore më të rëndësishme të Bashkisë Lezhë: rrugën e Shëngjinit dhe rrugën e Torovicës.

Për çdo informacion shtesë, jeni të mirëpritur pranë sporteleve të Zyrës më 1 Ndalesë, pranë bashkisë Lezhë.