Bashkia Lezhë rrëzon përtokë ‘sistemin kryq e tërthor’ në lagjen Gurra

Qytetet janë rritës. Ato fitojnë kompleksitet përmes një procesi të ngadaltë dhe përsëritës të shtimeve, ngatërrimeve, lëmshit, dhe zgjerimeve.

Kryq e tërthori urban ka që në 1958-ën që studiohet shkencërisht, sepse në fund të fundit, çdo qytet i projektuar me një fabrikë urbane të mirë duhet të jetë në gjendje ta mirëpresë dhe ta asimilojë kompleksitetin gjitnjë e në rritje të jetës sociale.

Nga ana tjetër, është faktuar në mënyrë të shumëfishtë se një hapësirë e përbashkët, e zaptuar nga telat dhe hekuranat e dala kithtaz, nga kaçorrët e kotësisë, nga rrangallat dhe gardhiqet e thurura me thupra thane të thata, formësojnë me kohën, një shëmti të atillë që ndikon drejtëpërdrejt në psikologjinë e banorëve.

Një lagje e shëmtuar estetikisht, i bën edhe banorët e saj më pak të afrueshëm me njëri tjetrin, më shumë mosbesues, të mllefosur e të stresuar. Pra shëmtia e lagjes – në këtë kuptim – të shtyn, atje thellë në nënndergjegje, ta shohësh fqinjin tënd me inat.

Çlirimi i hapësirës publike është, në të vërtetë, një kurë e parë për shpirtin kolektiv.

A do të thotë kjo se një Bashki nuk duhet ta lejojë qytetin të rritet, që të mos i marrë parasysh nevojat e shtetasve për t’u zgjeruar?

Qytetet kanë nevojë për ndërtesa të reja që fillojnë të ndërtojnë karakter për të ardhmen, si dhe për ndërtesa të vjetra që janë ruajtur mirë edhe pse të moshuara që nga e kaluara. Ky model i veçuar i zhvillimit lejon që struktura urbane të ndryshojë përmes motorëve paralelë dhe siguron një normë konstante të rigjallërimit urban. E kjo gjithashtu, është punë e Bashkisë mbi mënyrën sesi sanksionon ndërtimet.

Ndërsa rritja tumorale, me moton “t’i shkoj nga pas rrokopujës, që të kryej punët e mia”, i kishte bërë hapësirat, konkretisht pallatet në lagjen Gurra, të mbushura me ca shtesa të përbythnuara, (ndjesë lexuesit për termin), të cilat, tashmë që u shkulën i kanë bërë pallatet të duken si ai njeriu i ndrojtur në ditën e parë të plazhit, nga lehtësimi prej rrobave të tepërta në trup. Kjo lloj rritjeje pra, nuk kapërdihet dot nga fabrika urbane e asnjë qyteti në botë.

A është çmendur Pjerin Ndreu, që u prish qejfin dhjetëra banorëve në prag zgjedhjesh?

Në fakt jo. Me këto ndërhyrje, ai po përmbush një premtim për të cilin është zotuar para mijëra banorëve.